Po vazhdon të zhvillohet normalisht veprimtaria ilegale e kazinove në fshatin Karaçevë të Kamenicës. Dy të reja që u hapen para një muaji tashmë kanë vendosur edhe logot. Institucionet vazhdojnë të heshtin, ekspertet e sigurisë thonë se Ministria e Punëve të Brendshme duhet të marrë përgjegjësi.
Jo më shumë se një muaj energjia elektrike në këto kontejnerë që shërbejnë si kazino në Karaçevë është ndalur nga KEDS.
E ky fshat që gjendet në zonën kufitare me Serbinë është mjaft i njohur tashmë shkaku i veprimtarive ilegale.
Kazinotë në këtë vend po vazhdojnë të rrisin veprimtarinë pa u shqetësuar nga askush.
Për vendin që është shndërruar në një qendër të kazinove, shqetësimin e kanë ngritur edhe vet banorët e Karaçevës, por të cilët bashkë me zyrtarët komunal që ankesën e banorëve e adresuan në MPB, përgjigje nuk morën asnjëherë.
“Problemin e kemi paraqitur te Ministria e Punëve të Brendshme duke e ditur se është organi kryesor që merret me probleme të tilla, por deri tash nuk kemi marr përgjigje. Kazinot që janë tashmë janë në zonën neutrale dhe ne nuk mundemi më ndërmarr asgjë pa ndërhyrë niveli qendror dhe po presim prej tyre që të marrin një veprim të tillë”, ka thënë Lidiona Marovca – zëdhënëse e Komunës së Kamenicës
Dikasteri që drejtohet nga ministri Xhelal Sveçla nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij hulumtimi.
Përgjigjja e vetme e kësaj ministrie ishte në shtator të vitit të kaluar e ku këto veprimtari u rikthyen në vëmendje.
Atë kohë kjo ministri kishte thënë se nuk munden të ndërhyjnë në pjesën e kazinove më arsyen se gjenden në zonën neutrale.
Ky arsyetim për ekspertin e çështjeve të sigurisë, Hajrullah Tërnava, është i pakuptimtë.
“KFOR-i është institucion ndërkombëtar dhe ministria e Punëve të Brendshme përmes KFOR-it duhet të intervenoj dhe kjo çështje nuk është aq e komplikuar ashtu siç e bëjnë. Po ta lejonte e gjithë bota do të kishte problem më këtë dukuri”, ka thënë ai.
Intervenimi i vetëm i Policisë së Kosovës në këtë pjesë për rrëzimin e këtyre veprimtarive ishte në shtatorë të vitit 2020 kur ministër ishte Agim Veliu./RTV Dukagjini/