Këshilli Organizativ i protestave kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike sot ka mbajtur konferencë për shtyp, ku kanë njoftuar se do të vazhdojnë me protestat ndaj vendimit për rritjen e çmimit të rrymës. Aktiviteti i radhës do të mbahet të premten (nesër) me fillim në ora 14:00 në Tetovë.
Nga Këshilli theksojnë se qytetarët janë ata që e kanë mbajtur gjallë këtë iniciativë.
“Këshilli Organizativ tash e sa kohë është duke zhvilluar protesta të suksesshme, vetëm e vetëm për të parandaluar zhvatjen e qytetarit nga MEPSO, ELEM, KRRE dhe EVN. Sot ka një kontradiktë të qartë midis faturave të larta të rrymës elektrike dhe xhepit të varfër të qytetarit. Ata janë dhuna e interesave të oligarkisë. Ata janë dhuna pushtuese e xhepit. Ata janë dhuna e propagandës dhe reklamës. Ata janë dhuna që prodhon çdo ditë dëshpërim te qytetarët. Ata janë despotët, hajdutët dhe pronarët. Por le ta dijnë një gjë, vullneti i çeliktë i popullit do të jetë treguesi i fuqisë së brendshme që do ta çlirojë qytetarin nga ngulfatja e faturave të papërballueshme”.
“Sidoqoftë, mbas dhjetëra protestave masive e bllokadave, Këshilli Organizativ ka marrë përkrahjen edhe të disa partive politike. Takimet me koordinatorët e grupeve parlamentare kanë rezultuar të suksesshme, por ne nuk do ta marrim këtë si triumfalizëm përderisa kërkesat tona nuk do të zbatohen”, thanë nga Këshilli.
Më tej ata shtuan se nuk do të tërhiqen deri në realizimin e kërkesave të tyre.
“Nëse do të vazhdohet me avazin që të mos përfillen kërkesat tona, së bashku me qytetarët do të vazhdojmë të protestojmë, t’i bllokojmë rrugët, deri në pranimin e kërkesave. Njëherit shfrytëzojmë rastin që t’ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që t’i bashkohen Marshit të madh protestues të ditës së premte, në ora 14:00, nga sheshi Iliria deri te Monopoli dhe anasjelltas”, thanë nga Këshilli./Telegrafi/