Subjektet politike kanë filluar përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që do të mbahen më 14 shkurt. Deri tani dy subjekte politike kanë zyrtarizuar kandidatët e tyre për kryeministër, ndërkohë janë duke mbajtur në vazhdimësi takime me qytetarë, pavarësisht se fushata zgjedhore ende nuk ka filluar.
Lidhja Demokratike e Kosovës, kandidat për kryeministër ka vendosur që të ketë Avdullah Hotin, i cili aktualisht është kryeministër në detyrë i Kosovës.
Hoti ishte bërë kryeministër i Kosovës, pas rrëzimit të Qeverisë Kurti, ku LDK ishte partnere e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje.
Ndërsa, Partia Demokratike e Kosovës, ka bërë të ditur se kandidat për kryeministër do të ketë kryetarin në detyrë të partisë, Enver Hoxhaj, transmeton Telegrafi.
Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje ende nuk e ka bërë zyrtare kandidatin e tyre për kryeministër, megjithatë zyrtarët e kësaj partie në rrjetet sociale kanë bërë të ditur se kandidat për kryeministër në këto zgjedhje do të jetë lideri i tyre, Albin Kurti.
Megjithatë, një ndryshim do të ndodhë në këto zgjedhje të parakohshme. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka bërë të ditur se në këto zgjedhje nuk do të kenë kandidat për kryeministër, pasi që synojnë postin e presidentit.
Vlen të ceket që sot është afati i fundit në KQZ, që të bëhen zyrtare koalicionet parazgjedhore, megjithatë shumica e subjekteve politike kanë thënë se preferojnë të shkojnë në vetme në zgjedhje.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se certifikimi i listës përfundimtare për votuesit e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare do të bëhet me 2 shkurt.
Subjektet politike kanë kohë 10 ditë që të bëjnë fushatë zgjedhore, duke filluar nga 3 deri më 12 shkurt. Për organizmin e këtyre zgjedhjeve, KQZ ka aprovuar buxhetin në vlerën; 5 milion e 578 mijë e 712 euro.
Historiku i zgjedhjeve të parakohshme 2019
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare ishin mbajtur më 6 tetor 2019.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte njoftuar se numri i votuesve të regjistruar ishte 1,961,213 kurse pjesëmarrja në zgjedhje: 826,916 votues (44.56%).
Në zgjedhjet 6 tetorit 2019, Lëvizja Vetëvendosje kishte dal partia e parë, përcjell Telegrafi.
Lëvizja Vetëvendosje kishte fituar 29 ulëse në Kuvend;
Lidhja Demokratike e Kosovës kishte fituar 28 ulëse në Kuvend;
Partia Demokratike e Kosovës kishte fituar 24 ulëse në Kuvend;
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kishte fituar 13 ulëse në Kuvend;
Sa i përket kandidatëve të atëhershëm për kryeministër, më së shumti vota kishte grumbulluar kreu i LVV-së, Albin Kurti, gjithsej 183 mijë e 952 vota. Pastaj, nga LDK, Vjosa Osmani kishte fituar 176 mijë e 16 vota.
Nga PDK, Kadri Veseli kishte fituar 145 mijë e 881. Nga AAK, Ramush Haradinaj kishte fituar 76 mijë 163 vota, kurse nga Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj kishe fituar 25 mijë e 918.
Zgjedhjet e vitit 2019 ishin vlerësuar të qeta dhe demokratike./Telegrafi/