Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkeljd Alibeaj ka njoftuar sot zyrtarisht përjashtimin e deputetëve Tritan Shehu, Oerd Bylykbashi, Belind Këllici dhe Agron Shehaj.
Katër deputetët e lidhur me grupin e rithemelimit të udhëhequr nga Sali Berisha nuk do të jenë më pjesë e Grupit Parlamentar të PD-së.
Ky njoftim ka ardhur nga zyra e shtypit e Alibeajt, i cili i referohet përfundimit të afatit 1- vjeçar të dhënë ndaj tyre, për distancimin e plotë dhe publik nga aktet e dhunës ndaj PD-së.
Sipas njoftimit, vendimi erdhi në mungesë të distancimit të këtyre akteve.
Kjo vjen pasi deputeti i PD-së Ervin Salianji ka nisur takimet me kolegë të tij për të gjetur mënyra e tentativa të tjera për bashkimin e partisë.
Një nga mënyrat për të bashkuar grupin parlamentar të PD që Salianji po e diskuton me deputetët është zëvendësimi i kreut të grupit Enkelejd Alibeaj.
Njoftimi i zyrës së shtypit të Enkelejd Alibeaj:
Sot, më datë 10.01.2023, ka përfunduar afati 1 vjeçar për distancimin e plotë dhe publik nga aktet e dhunës ndaj Partisë Demokratike të deputetëve të pezulluar Tritan Shehu; Oerd Bylykbashi; Belind Këlliçi dhe Agron Shehaj.
Në mungesë të aktit të distancimit, sipas vendimit nr.1 dhe nr. 1/1, datë 10.01.2022 të Kryesisë së Partisë dhe konfirmimit të Këshillit Kombëtar dhe Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike në mbledhjen e datës 15.01.2022, nga sot hyn në fuqi masa e largimit zyrtarisht të tyre nga Grupi Parlamentar.
Për këtë qëllim, është njoftuar zyrtarisht Kuvendi i Shqipërisë që deputetët Tritan Shehu; Oerd Bylykbashi; Belind Këllici dhe Agron Shehaj nuk janë më pjesë e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike duke filluar nga data 11.01.2023. /Telegrafi/