Site icon Telegrafi

Vazhdojnë akuzat për keqpërdorime të ndihmave

Edhe sot ka vazhduar shpërndarja e ndihmave humanitare në rajonet e përmbytura ku funksionojnë gjithsej 5 qendra në Hasanbeg, në të cilën banorët mblidhen për të marrë ujë, bukë dhe mjete tjera me të cilat përmbushin nevojat elementare, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Shkolla fillore “25 maji” është një ndër punktet më të vizituara nga banorët e kësaj ane, por qytetarët shprehen se bëhen keqpërdorime me ndihmat, ata merren nga njerëz që nuk kanë nevojë, apo madje ka pretendime se ndihmat edhe shiten nga persona të papërgjegjshëm.

“Ka keqpërdorime por nuk do të thotë se në tërë fshatin është ashtu, ka keqpërdorime ku diku shpërndahen ndihmat me rregull e diku jo, këtu në pikën qendrore ka, por jo në të gjithë fshatin”, është shprehur për mediat njëri nga banorët.

“Dikush merr ma pak, dikush ma shumë. Kush të mundet vjen e merr ma shumë. Nuk ka rregull, nuk ka kontroll nëpër punkte secili të merr sa më tepër për vete”, shprehen disa qytetarë tjerë.

Organizatat e ndryshme Humanitare kanë apeluar deri te qytetarët që nuk kanë nevojë për ndihma  mos ta keqpërdorin situatën por tu lënë mundësi atyre që vërtetë kanë nevojë për këto ndihma.

Përfaqësuesit e Organizatave humanitare në terren shprehen se për shkak të keqpërdorimeve që bëhen kanë filluar që donacionet dhe ndihmat e ofruara ti shpërndajnë nëpër shtëpi nga dy herë në ditë.

Ndryshe banorët e Hasanbegut përmes rrjeteve sociale kanë apeluar që ndihmat të mos dorëzohen në punktin e stacionuar në shkollën “25 maji”, duke konstatuar se persona të caktuar bëjnë keqpërdorime të ndihmave duke i shitur të njëjtat me çmime të volitshme./Telegrafi/

 

 

Exit mobile version