Telegrafi

Vazhdojnë aksionet e policisë, bastisen dhe disa lokacione në Batllavë

Arkiv

Policia e Kosovës, përkatësisht Departamenti i Krimeve të Rënda sot ka zhvilluar aksione në Prishtinë, Istog, Lipjan, Podujevë, Gjilan dhe në Batllavë.

Telegrafi ka kontaktuar komandantin e Policisë së Kosovës për rajonin e Podujevës, Isak Ejupi i cili tha se stacioni i policisë ku ai vepron nuk është duke kryer ndonjë bastisje.

Por siç tha Ejupi, Njësiti për Krime Ekonomike është duke kryer bastisje në Batllavë.

“Stacioni ynë policorë nuk po kryen bastisje, por Krimet e rënda dhe ato ekonomike kanë kryer bastisje në Batllavë”, ka thënë Ejupi.

Ndërkaq, pas aksionit në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë janë arrestuar katër zyrtarë, ndërsa Telegrafi ka mësuar se janë sekuestruar dy çanta me para.

Siç bëhet e ditur paratë janë konfiskuar nga shtëpitë e disa prej të arrestuarve.

Përveç katër arrestimeve në AZHB, Telegrafi ka mësuar se janë arrestuar edhe dy zyrtarë të komunës së Istogut.

Ndryshe, në orën 13:30 Prokuroria e shtetit ka paralajmëruar konferencë lidhur me aksionin e sotëm në disa qendra të Kosovës. /Telegrafi/