Telegrafi

Vatrat e zjarrit në dy qytete kufitare në Australi, mund të bashkohen në një të fuqishme – banorëve iu kërkohet evakuim, për disa është shumë vonë

Banorëve iu është kërkuar që të largohen me shpejtësi, pasi dy vatrat zjarri në dy qytetet kufitare në Australi, mund të bashkohen në një të vetme dhe shumë të fuqishme.

Autoritetet janë shumë të shqetësuara, nga erërat që po fryjnë nga veri-perëndimi, se mund t’i bashkojnë zjarret që po digje në Victoria me ato të New South Wales, transmeton Telegrafi.

Së bashku me erën në favor të zjarreve, tokës së thatë dhe motit të nxehtë, flakët vetëm sa mund të shtohen dhe zjarrfikësit e kanë të pamundur t’i parandalojnë.

Deri më tani, shumë banorë janë evakuuar, mirëpo për disa konsiderohet se është shumë vonë, sepse një pjesë e rrugëve janë mbyllur, për shkak se kalojnë shumë afër vatrave të zjarrit.

Gjendja nuk pritet të normalizohet në vijim, pasi gjatë pasdites së sotme, priten erëra edhe më të fuqishme.

Nëse e njëjta situatë vazhdon edhe nesër, situata me zjarret vetëm sa do të përkeqësohet, pasi paralajmërohet se temperatura në atë zonë mund të arrijë deri në 43 gradë Celsius. /Telegrafi/