Telegrafi

Varrosen viktimat e para të aksidentit hekurudhor në Greqi, mes tyre tre shqiptarë

Në heshtje por me pyetjen “përse?”, familjarë dhe të afërm varrosën këtë të shtunë viktimat e aksidentit tragjik të ndodhur në Tempi të Greqisë.

Trupat e pajetë të 57 viktimave tashmë u janë dorëzuar familjarëve, mes tyre edhe shtetasit shqiptarë dhe ata me origjinë shqiptare, I.M, P.B dhe J.XH, ndërsa paraditen e së shtunës priten të përfundojnë edhe analizat e ADN-së për K.L dhe D.R.

Ndërkohë që janë marrë 56 mostra ADN-je prej familjarëve të viktimave, trupat e të cilëve janë dëmtuar shumë çka e ka bërë të pamundur identifikimin e deritanishëm të tyre.

Autoritet thonë se po bëjnë të pamundurën për ta përfunduar identifikimin e viktimave për të dorëzuar trupat e tyre pranë familjarëve sa më shpejt, ndërsa vazhdojnë hetimet lidhur me tragjedinë që shokoi Greqinë dhe jo vetëm, raporton Top Channel.

Shefi i stacionit hekurudhor të Larisës do të dërgohet paraditen e së shtunës në gjykatë për masë sigurie me akuza të krimit të rëndë me dashje, ndërsa policia e Larisës nën drejtimin e prokurorisë ka sekuestruar materiale  në zyrën e Samaras, të cilat pritet të hedhin dritë mbi atë çka ndodhi minutat para aksidentit dhe për të gjetur arsyen pse ky i fundit futi në të njëjtat binarë dy trenat që pak kilometra me tej u përplasën duke lënë të vdekur 57 persona, 56 të zhdukur dhe 48 të plagosur, por dhe zhytur vendin në zi.

Dyshimet e deritanishme janë se Samaras nuk ka qenë në zyrë në momentin që urdhëroi lëvizjen e shinave në drejtimin diagonal. Mungesa e tij në sallën operative që të cilin ishte funksional sistemi i vjetër i monitorimit të lëvizjes, i cili tregonte me llambë ndaluese se në linjën zbritëse ndodheshin dy trena në drejtim të kundërt, çka mund ta shmangte tragjedinë.

Më herët avokatët e njërës prej viktimave thanë se Samaras ndodhej në një lokal aty pranë dhe urdhrin për kalimin e shinave e dha nëpërmjet radios portabële vhf që mbante në dorë, dhe jo nëpërmjet radios VHF që ishte e instaluar në tryezën që ishte instaluar sistemi i monitorimit  me drita të stacionit të Larisës.