Site icon Telegrafi

Varianti Omicron në Kosovë, Vishaj thotë se simptomat janë të ngjashme me gripin sezonal

Arben Vishaj, drejtor i Klinikës Infektive, në një konferencë për media ka folur për variantin e coronavirusit Omicron, i cili variant tashmë është konfirmuar edhe në Kosovë.

Vishaj konfirmoi se një nga qytetarët e infektuar me variantin Omicron, ka kërkuar trajtim mjekësor në këtë klinikë dhe se gjendja e tij e përgjithshme ka qenë stabile.

Drejtori i Klinikës bëri të ditur se pacienti ishte i vaksinuar me dy dozat e vaksinës Pfizer.

“Ne aktualisht nuk kemi pacientë të hospitalizuar me variantin Omicron, por jemi duke i trajtuar 4 pacientë të cilët janë me COVID-19 pozitiv….”, tha Vishaj.

Infektologu Vishaj tha se simptomat e gripit sezonal dhe të COVID-19 janë shumë të njëjta, prandaj rekomandoi që të gjithë që nuk ndihen mirë të paraqiten te mjeku familjar.

Duke pasur parasysh që këtë periudhë pritet ardhja e mërgimtarëve, Vishaj tha se kanë kapacitet që të ofrojnë shërbime. “…QKUK-ja mban disa herë takimi dhe kemi plan dhe strategji, ne kemi kapacitetet të gatshme të ofrojmë shërbime”, tha ai.

Drejtori i Infektivës duke folur për procesin e vaksinimit tha se i gjithë stafi i klinikës i janë përgjigjur thirrjes për të marrë dozën përforcuese.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të vaksinohen, si mënyra më e mirë për të luftuar pandeminë. /Telegrafi/

 

Exit mobile version