Site icon Telegrafi

Varianti Delta i COVID-19 po përhapet me shpejtësi në Shqipëri

Burime zyrtare nga Instituti i Shëndetit Publik bëjnë të ditur se numri total i infektimeve të reja me COVID-19 javën që kaloi arriti në në Shqipëri në mbi 3 mijë vetë dhe ai i viktimave në 12.

Që nga fillimi i muajit gusht rezultojnë të jenë gjithsej 5,667 raste dhe 20 viktima.

Të shtunën numri i rasteve të reja arriti shifrën më të lartë që nga fundi i majit i këtij viti. Në Spitalin Infektiv nga një numër i pakët pacientësh janë të shtruar 73 pacientë, kurimi i të cilëve kërkon të rikthehen shërbimet e specializuara.

Rastet e reja të infektuara nga COVID-19 janë të përhapura pothuajse në të gjithë vendin duke prekur 43 bashki nga 61 që ka në total Shqipëria. Tirana vazhdon të kryesojë me 217 raste të reja, e ndjekur nga Shkodra me 98, Vlora me 51 dhe Durrësi me 38.

Maska dhe distancimi social nuk respektohen në Shqipëri

Shkak për një grafik të tillë në në rritje të rasteve të reja dhe i viktimave pas disa muajsh pa asnjë humbje jete, sipas autoriteteve shëndetësore, është qarkullimi i shpeshtë i variantit Delta, që ka hyrë në Shqipëri që në fillim të kësaj vere.

Masat mbrojtëse si vendosja e maskës në mjedise të mbyllura dhe distancimi social pothuajse nuk respektohen fare dhe ende autoritetet nuk po reagojnë për të rikthyer masat shtrënguese.

Apeli i autoriteteve shqiptare ndaj qytetarëve aktualisht është i fokusuar në kryerjen e vaksinave anti-COVID-19 deri në fund të këtij muaji, që është shpallur “muaj i hapur” për vaksinimet mbi moshën 18 vjeç.

Nga të dhënat zyrtare rezulton se në Shqipëri janë përdorur 1.3 milion doza të vaksinave anti-COVID-19, ku rreth 35 përqind e tyre u përket vaksinimit të qytetarëve mbi 18 vjeç me dozën e parë.

Masat shtrënguese u lehtësuan nga autoritetet në fundin e qershorit të këtij viti kur në Spitalin Infektiv që ishte në frontin e parë të përballjes së epidemisë, pati vetëm disa pacientë të shtruar të infektuar me COVID-19. Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik flasin për anë 5,129 pacientë aktivë me COVID-19 në të gjithë vendin. /Deutsche Welle/

Exit mobile version