Telegrafi

Varhelyi: Shqipëria i ka përmbushur kushtet për hapjen e negociatave të anëtarësimit

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi ka pritur sot në një takim në Bruksel Ministren e Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka.

Në një postim në Twitter, Varhelyi tha se Shqipëria i ka përmbushur kushtet që të hapen zyrtarisht negociatat e anëtarësimit.

“Ne theksuam se Shqipëria i përmbushi të gjitha kushtet e Këshillit. Tani Shqipëria është gati të hapë zyrtarisht negociatat e anëtarësimit. Ne mbështesim mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare gjatë Presidencës Franceze të Këshillit”, shkruan Varhelyi.

Ndërkohë, ministrja Xhaçka tha pas takimit me Varhelyi se u dakordësuan që vendimi për konferencën e parë ndërqeveritare duhet të merret në qershor.

“Nënvizova bindjen e Shqipërisë se dështimi për të mbajtur konferencën e parë këtë qershor do të ndikojë negativisht në besueshmërinë e BE-së dhe situatën në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë ministrja në një postim të saj në Twitter.

Ditën e sotme në Bruksel Xhaçka zhvilloi takim edhe me homolgun Italian Luigi di Maio. /Telegrafi/