Raphael Varane sipas të gjitha gjasave do të jetë lojtari më i ri i Manchester United.
Qendërmbrojtësi francez prej vitesh kërkohet nga Djajtë e Kuq, por vetëm tani ka një marrëveshje mes palëve.
E përditshmja spanjolle, Marca ka raportuar se tanimë lojtari ka arritur marrëveshje personale me gjigantin anglez.
Varane është pajtuar të nënshkruajë një kontratë katër vjeçare me Djajtë e Kuq, nga e cila do të fitojë 12 milionë euro në sezon.
Francezi ka hedhur poshtë ofertën e Real Madridit për zgjatjen e kontratës, ofertë e cila ishte gjithashtu katër vjeçare, por që Los Blancos i kishin ofruar tetë milionë euro në sezon.
Tani dy klubet po diskutojnë për të gjetur një marrëveshje për transferimin e francezit në Old Traford.
United ka ofruar 45 milionë euro, derisa Real Madridi po kërkon 55 milionë plus pesë të tjera bonuse.
Gjithsesi duke parë dëshirën e lojtarit për të kaluar te United, besohet se do të ketë një marrëveshje gjatë ditëve në vijim. /Telegrafi/