Ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, i arrestuar me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme SPAK për “shpërdorim të detyrës” kërkon të lirohet nga qelia.
Avokatët e tij kanë ankimuar në Gjykatën e Apelit masën e sigurisë “arrest në burg” caktuar nga Shkalla e Parë një javë më parë dhe vendosjen e masës së sigurisë “arrest në shtëpi”.
Në seancën e zhvilluar rreth një javë më parë në GJKKO, ish-numri një i qytetit të Durrësit mohoi akuzat, duke pretenduar se ka zbatuar ligjin dhe se ka firmosur mbi akte të përgatitura nga specialistët.
Dy kallëzime penale ishin ato që vunë në lëvizje Prokurorinë e Posaçme Anti Korrupsion për ish-kreun e Bashkisë Durrës, hetime që u përmbyllën me arrestimin e tij dhe 9 personave të tjerë.
Në dosjen hetimore që çoi pas hekurave Dakon rezulton se ish-kryebashkiaku akuzohet për shpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumenteve.
Kallëzimi i parë është bërë nga banorët e një pallati në lagjen numër 5, godinë e cila u bë e pabanueshme pas tërmetit të vitit 2019. Sipas banorëve, leja e ndërtimit ishte dhënë në kundërshtim me ligjin, pasi pallati përfundoi me 4 kate shtesë.
Kallëzimi i dytë është bërë nga ish-kreu i PD-së Durrës, Ferdinand Xhaferraj, sipas të cilit, Dako shpërdoroi fondet publike për një rrugë që u tenderua, por nuk u realizua. Padia e Xhaferrajt mbështetet edhe nga dy raporte të Kontrollit të Lartë të Shtetit, ku për projektin e rrugës së Plazhit nga Bërryli deri në Currila, i është shkaktuar një dëm buxhetit të shtetit në shumën 18 milionë lekë.
Sipas SPAK, Vangjush Dako, jo vetëm nuk ka marrë masa për Kontrollin e Komisionit të Llogaritjes së Fondit Limit, por ka miratuar dhe urdhrin e prokurimit me vlerën e propozuar nga ky komision, çka i është shkaktuar dëm shtetit në vlerën 18 milionë Lekë. /Telegrafi/