Site icon Telegrafi

Van Persie bën hapin e madh në karrierë si trajner, merr drejtimin e gjigantit holandez

Futbollisti legjendar holandez, Robin van Persie, ka marrë një rol të ri si trajner, pasi vendosi të pranojë ftesën nga Feyenoord dhe të largohet nga pankina e Heerenveen.

Van Persie do të drejtojë një nga befasitë më të këndshme të këtij sezoni në Ligën e Kampionëve, pasi Feyenoord tronditi Milanin në play-off javën e kaluar dhe siguroi kalimin në raundin e 16-të të garës më prestigjioze evropiane.

Emërimi i Van Persiet si trajner i Feyenoordit do të thotë rikthim në shtëpi për holandezin pasiqë në moshën 13-vjeçare ishte pjesë e akademisë së Feyenoordit dhe filloi karrierën e tij si trajner pikërisht në klubin nga stadiumi De Kuip.

“Të gjithë e dinë se sa e veçantë është lidhja ime me Feyenoord. Unë mezi pres, së bashku me një staf të fortë trajnerësh, të punoj me këtë grup lojtarësh dhe të luaj ndeshje për De Kuip, me mbështetjen e tifozëve”, tha Van Persie pas nënshkrimit të kontratës.

Ai ka një të kaluar të njohur si sulmues dhe trajner në kategoritë e të rinjve të Feyenoordit, ku punoi dy vite më parë.

Verën e kaluar, ai u largua nga klubi për t’iu bashkuar Heerenveenit, por tani ka bërë një rikthim të shpejtë.

Në fazën e 16-të të Ligës së Kampionëve, Feyenoord do të përballet me gjigantin italian Interin. /Telegrafi/

Exit mobile version