Telegrafi

Valon Hamdiu mes kampionatit zviceran dhe atij turk, në bisedime me tre skuadra

Valon Hamdiu ka mbetur i lirë pas largimit nga skuadra zvicerane Lausanne-Ouchy.

Mesfushori kosovar ka pasur një sezon shumë të mirë në Superligën e Zvicrës, derisa së shpejti pritet të vendos për të ardhmen e tij.

26-vjeçari që luan në pozitën e mesfushorit defensivë, është mes Superligës së Turqisë dhe Challange League të Zvicrës, ku për momentin është në bisedime me tre skuadra.

Telegrafi ka marrë vesh nga burime të afërta me futbollistin dhe agjentët e tij se Hamdiu është në listën e dy skuadrave nga elita e futbollit turk si Konyaspor dhe skuadra e inkuadruar këtë edicion në Superligë, Bodrumspor.

Gjithsesi për lojtarin interesim të madh ka shprehur edhe skuadra zvicerane Aarau që tanimë i ka bërë ofertë zyrtare pasi duan rikthimin në elitë dhe kërkojnë që me Hamdiun ta shtojnë cilësinë në repartin e mesfushës.

Gjithnjë sipas burimeve të Telegrafit, dëshira e lojtarit është të luaj në Superligën e Turqisë, pasi në këtë mënyrë do të jetë në dispozicion edhe të Kombëtares së Kosovës.

Hamdiu i cili ka pasaportë zvicerane dhe kosovare, ka qenë më parë pjesë e Kombëtares U21 të Kosovës, derisa kjo javë pritet të jetë vendimtare për të ardhmen e tij.

Mesfushori dardan gjithë karrierën e tij ka luajtur në futbollin zviceran, ku ka bartur fanellat e skuadrave si Wil 1900, St Gallen, Winterthur, Schaffhausen dhe së fundmi Stade-Lausanne Ouchy. /Telegrafi/