Presidenti Agim Ademi ka pritur sot futbollistin e Kosovës dhe Lazios, Valon Berishën, i cili këto ditë ndodhet në vendlindje për pushime.
Në këtë takim krahas presidentit Ademi ishin edhe anëtari i KE-së, Xhelal Broja, sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu dhe drejtuesit e grupit të tifozëve “Dardanët”.
Presidenti Ademi i uroj mirëseardhje Valonit në vendlindje, duke i dëshiruar pushim të mirë afër familjes në këtë periudhë të vështirë në të cilën po kalon jo vetëm vendi ynë por i gjithë globi, si pasojë e pandemisë COVID-19.
Presidenti Ademi i shprehu edhe njëherë mirënjohje Valonit që ishte lojtari i parë që zgjodhi Kosovën, duke e braktisur një kombëtare të madhe, teksa hyri në histori si lojtari i parë që shënoi gol për Kosovën në kualifikime.
Ademi theksoi se Valon Berisha u bë kësisoj shembull për t’u ndjekur nga lojtarët e tjerë.
Në anën tjetër, Valoni u shpreh i nderuar që sërish ndodhet në Kosovë, teksa falënderoi presidentin Ademi dhe tërë stafin e FFK-së për kushtet shumë të mira që kanë krijuar për ekipin kombëtar, si dhe për mbështetjen e madhe që gëzojnë nga i tërë populli, me shpresë dhe optimizëm se një ditë tërë këtë do t’ua shpaguajnë me kualifikim në Evropian apo Botëror.