Site icon Telegrafi

Valon Berisha me këmbë në tokë: Kroacia e fortë, por mund të bëjmë befasi

Kosova dhe Kroacia do të takohen sot në kuadër të kualifikimeve për botërorin e futbollit, Rusia 2018.

Një ndër futbollistët më të mirë të përfaqësueses kosovare është edhe Valon Berisha, i cili ka qenë edhe golashënues kundër Finlandës.

Mesfushori Berisha ka thënë për Radion Evropa e Lirë se pavarësisht që me bashkëlojtarët e tij kanë krijuar një ekip të ri dhe se nuk kanë luajtur së bashku mjaft ndeshje, megjithatë do të përpiqen të arrijnë rezultatet optimale.

“Disponimi, normalisht, është i madh, sepse po i takojmë dy ekipe shumë të forta, Kroacinë dhe Ukrainën. Megjithatë, ne jemi ekip i ri, vetëm sa jemi duke u formuar. Kjo ka nevojë për kohë. E dimë se do ta kemi vështirë në këto dy lojë, por na merr mendja se mund të befasojmë në këtë grup. Kemi ekip të mirë, lojtarë të mirë. Sa të bashkohemi dhe të bëhemi grup më i fortë, si individ, por edhe bashkë, ma merr mendja se mund ta luajmë një rol të mirë në këtë grup. Por, së pari, hap pas hapi”, thotë Berisha.

Berisha kishte shënuar golin e parë për Kosovën në takimin e parë kualifikues për botërorin Rusia 2018, në ndeshjen me Finlandën, me të cilin gol ka barazuar rezultatin. Ky rezultat i solli Kosovës një pikë.

Ndërkaq, më 9 tetor, përfaqësuesja e Kosovës do ta zhvillojë takimin me Ukrainën, në Poloni, për shkak se rivalja e saj, brenda Grupit ‘I’, nuk e ka njohur ende shtetin e Kosovës.

Exit mobile version