Mesfushori i Kosovës, Valon Berisha, ka thënë se barazimi 1-1 ndaj Ishujve Faroe ishte një ndeshje mjaft e vështirë në fushë.
Sipas tij skuadra kundërshtare ishte mirë organizuar, posaçërisht në fazën mbrojtëse.
“Kemi udhëtuar për fitore, por në fund ishte e rëndësishme që arritëm të marrim një pikë pasi edhe kundërshtarët tjerë barazuan. Jemi të parët në grup, vazhdojmë”.
“Ishte e vështirë, ata u mbrojtën mirë dhe i përgëzoj për këtë”.
“Nuk duhet të harrojmë se jemi të parët në grup, ndeshjet si mysafir janë të vështira, por edhe fusha me bari artificial nuk ishte e mirë për ne”.
“Për mua ishte 90 minutëshi i parë pas katër muajve, por fizikisht ende nuk jam 100 për qind, por me punë do të përmirësohem”, ka thënë Berisha pas ndeshjes.
Pas këtij barazimi Kosova vazhdon e para në Grupin 3 me tetë pikë, dy më shumë se Azerbajxhani. Ishujt Faroe vazhdojnë me katër pikë, kurse Malta me dy.
Ndeshja e ardhshme e Kosovës është si mysafir i Maltës. /Telegrafi/