Valon Berisha ka thënë se është i gatshëm që të fillojë sezonin e ri 2019/2020.
Mesfushori shqiptar që aktualisht luan te Lazio, ka konfirmuar se është i gatshëm për edicionin e ri, gjersa kishte vuajtur nga disa lëndime të njëpasnjëshme.
“Kam qenë për dy muaj në Austri, ku kam kaluar për mrekulli. Atje isha për shkak të rikuperimit nga lëndimi, derisa mjekët më kanë siguruar se çdo gjë po shkon në rrugën e duhur”, ka thënë fillimisht Berisha në një intervistë për RTV Dukagjini.
“Nga 1 gushti do t’i bashkohem skuadrës dhe do të jem 100 për qind i gatshëm. Fillimi te Lazio ka qenë i vështirë, pasi ju duhet ta tregoni vetën. Kam raporte të mira me trajnerin dhe bashkëlojtarët, që më kanë pritur mirë”.
Mesfushori shqiptar është deklaruar edhe për raportet që ka me shqiptarët e Lazios, si Igli Tare, Thomas Strakosha dhe Riza Durmishi.
“Jemi një grup i mirë. Strakosha ka pesë vite që është aty, ka qenë një përkrahje e mirë për mua, pasi kemi kontaktuar para se të shkoja te Lazio. Natyrisht edhe prezenca e Iglit (Tares) në klub ka qenë një ndihmesë e madhe për mua, pasi me të jam takuar para se ta përfundoja kalimin”, ka thënë mesfushori i Kosovës.
Berisha ka folur më tutje edhe për Përfaqësuesen tonë për rezultatet që mund t’i arrijnë në kualifikimet për Euro 2020.
“Me Bullgarinë është dashur të fitojmë, pasi përballjet si vendas të ofrojnë më shumë mundësinë që të marrësh pikë, ndërsa ndeshjet si mysafir janë më të vështira. Mendoj se kemi një shans të mirë që të përfundojmë në vendin e dytë në grup. Anglia është shumë e fortë, por edhe ne jemi të mirë dhe jemi duke shkuar rrugës së duhur. Jemi një ekip i bashkuar dhe mendoj se kjo është gjëja kryesore se përse mund të shpresojmë në suksesin tonë”, ka thënë më tej Berisha.
Reprezentuesi i Përfaqësueses së Kosovës në verën e kaluar e kompletoi kalimin nga Red Bull Salzburgu te skuadra italiane, ndërsa ka thënë se mezi pret të rikthehet në fushë.