Vali Corleone, i njohur si “Princi” nga Gjilani, ka ikur nga Kosova në përfundim të procesit gjyqësor ndaj tij, ku akuzohet për mbajtje, përdorim dhe kontroll të paautorizuar të armëve, duke shkaktuar rrezikim të përgjithshëm, duke u arsyetuar se është kërcënuar nga organizata terroriste ISIS.
Ai dyshohet se është në Sicilia të Italisë, me ç’rast para disa ditësh ka deklaruar se ndjehet i kërcënuar në Kosovë nga organizata terroriste – “Shteti Islamik”, shkruan zeri.
Në muajin nëntor ishte paraparë të mbahej seanca gjyqësore ndaj të pandehurit Princ Valentino Corleone, mirëpo seanca nuk ishte mbajtur pasi që ky i fundit nuk ishte paraqitur në seancë dhe për këtë arsye seanca është shtyrë për këtë muaj.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, një kopje të cilën e posedon edhe gazeta “Zëri”, Corleone akuzohet për veprën penale “mbajtje në pronësi, në kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas nenit 374 të Kodit Penal të Kosovës.