Modelja Valeria Mobley do ta luajë rolin e Andrea Salas, gruas së Keylor Navas, në filmin “Njeriu i besimit” që bazohet në jetën e portierit të Real Madridit.
Ky do të jetë roli i parë për bukuroshen nga Kosta Rika, e cila ka ngjashmëri fizike me gruan e Navas.
Valeria është shfaqur para kamerave dhe fotoaparateve që nga mosha 18-vjeçare, ashtu që di si të sillet kur fokusi është tej ajo. Për më shumë ajo ka konkurruar edhe në programin e vitit 2016, “Beteja e talenteve”.
“Kam bërë orë të aktrimit, mirëpo asnjëherë nuk ka ndodhur diçka e ngjashme me një film. Jam shumë e gëzuar. Para se të shkoja në audicione, mendova për këtë gjë dhe hezitoja, sepse i thosha vetes se nuk dija asgjë për aktrimin”, ka deklaruar Mobley në një intervistë për La Nacion.
Filmi “Njeriu i besimit” është shkruar nga Dinga Haines dhe krahas tij, producentë janë edhe Begona Castillo dhe Jorge Obando.
Ngjarja flet për një djalosh nga Kosta Rika, i cili i përkushtohet futbollit dhe arrin suksesin profesional që më pas t’i ndihmojë financiarisht familjes së tij. Familja, futbolli dhe religjioni – janë tri temat që shqyrtohen në lidhje me jetën e Navas.
“Kur më thanë se duan të bëjnë një film për mua, u befasova sepse asnjëherë nuk kisha imagjinuar diçka të këtillë. Është bekim dhe jam falënderues. Është një mundësi për të treguar se kur ke besim, mund t’ia dalësh”, është shprehur Navas. /Telegrafi/