Site icon Telegrafi

Valë e re zhvendosjesh, Izraeli urdhëron evakuimin e Gazës Lindore

Ushtria izraelite ka lëshuar urdhra të reja evakuimi për banorët në zonat e një periferie të qytetit lindor të Gazës, duke shkaktuar një valë të re zhvendosjesh.

Urdhrat e reja vlejnë për periferinë Shejaia dhe u bënë të ditura nga zëdhënësi i ushtrisë izraelite.

“Për sigurinë tuaj, ju duhet të evakuoheni menjëherë në jug”, thuhet në postimin e ushtrisë.

Ndryshe, në Gazën veriore, ku forcat izraelite kanë operuar kundër rigrupimit të militantëve të Hamasit që nga fillimi i muajit të kaluar, zyrtarët shëndetësorë thanë se një dron izraelit hodhi bomba në spitalin Kamal Adwan, duke plagosur drejtorin e tij Hussam Abu Safiya, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.

“Kjo nuk do të na pengojë të përfundojmë misionin tonë humanitar dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë punë me çdo kusht”, tha Abu Safiya në një deklaratë video të shpërndarë nga ministria e Shëndetësisë të dielën.

“Ne jemi në shënjestër çdo ditë. Më kanë vënë në shënjestër pak kohë më parë, por kjo nuk do të na pengojë”, tha ai nga shtrati i spitalit.

Forcat izraelite thonë se militantët e armatosur përdorin ndërtesa civile duke përfshirë blloqe banimi, spitale dhe shkolla për mbulim operacional.

Siç raportohet, Kamal Adwan është një nga tre spitalet në veri të Gazës që mezi funksionojnë pasi ministria tha se forcat izraelite kanë ndaluar dhe dëbuar personelin mjekësor dhe kanë penguar furnizimet e urgjencës mjekësore që të arrijnë tek ata.

Ndryshe, Izraeli tha se kishte lehtësuar shpërndarjen e furnizimeve mjekësore dhe karburantit dhe transferimin e pacientëve nga spitalet e Gazës veriore në bashkëpunim me agjencitë ndërkombëtare si Organizata Botërore e Shëndetësisë. /Telegrafi/

Exit mobile version