Site icon Telegrafi

Vala Superliga i jep kuptim fjalës ‘Shqipëri Etnike’ – trajnerët vijnë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Lugina

Vala Superliga është në edicioni më interesant nga paslufta, ku shumë klube janë duke ‘luftuar’ për titull.

Por një dukuri interesante që këtë vit ka qenë më e theksuar është se shumë trajnerë nga Shqipëria, por edhe nga Maqedonia, kanë zbarkuar në Kosovë.

Për dallim nga kampionati shqiptar që asnjëherë nuk i dha rastin asnjë trajneri të punojë, në Kosovë klubet po tregohen më mendjehapura.

Prishtina nga xhiro e pestë e ka trajner Mirel Josën. Një zgjedhje që po del të jetë e qëlluar për Prishtinën, pasi klubi është fuqishëm në garë për titull dhe Kupë.

Trepça ’89 nga viti i shkuar e kishte Zekerija Ramadanin nga Shkupi, ndërsa aktualisht e ka Gugash Maganin, nga Shqipëria.

Josa dhe Magani në përballjen Prishtina – Trepça 89

Liria e filloi me Bledi Shkëmbin, ndërsa ende janë në garë për titull, gjë që kishte vite pa e bërë.

Feronikeli sapo ka nënshkruar me Sulejman Starovan, që deri vonë ishte trajneri i Partizanit.

Starova trajner i ri i Feronikelit

Nga Maqedonia është trajneri i Flamurtarit, Gajur Rexhepi, ndërsa nga Lugina e Preshevës është Sadat Pajaziti që drejton Drenicën.

Të gjithë shqiptarë, që kanë vendosur ta bëjnë detyrën e trajnerit në Kosovë.

Gjashtë klube të tjera të Superligës, kanë trajnerë nga Kosova. Ardhja e trajenrëve nga Shqipëria nuk është pritur mirë nga disa trajnerë vendas, por që rezultatet e tyre, po e tregojnë të kundërtën.

Llumnica: Trajnerët nga jashtë e kanë pasuruar futbollin kosovar

Ardian Llumnica që aktualisht është ndihmëstrajner te Flamurtari dhe punon me Gajur Rexhepin, thotë se ardhja e trajnerëve nga jashtë pasuron futbollin.

“Padyshim se e kanë pasuruar futbollin kosovar edhe në aspekt të cilësisë edhe në atë të imazhit dhe organizimit”.

“Ka kohë që kam deklarua që në mënyrën si po shkojnë gjërat, ne do të mbesim pa punë, sepse nuk jemi reformuar me atë çka po kërkon tregu në futbollin modern”.

Ardian Llumnica

“Një tjetër arsye është se shumë trajner veçse i kanë shijuar klubet me lëvizje të shpeshta dhe në pak klube, në një formë apo tjetrën i kanë lënë vend vetit”.

“Ardhja e trajnerëve nga Shqipëria dhe Maqedonia e ka ndërruar edhe qasjen në pune, në organizim dhe ju ka treguar edhe kryesive të klubeve se futbolli është i kushtueshëm, duke e rritur faturën e klubit nga përforcimet”.

“Kjo është edhe dukuri e klubeve që nga izolimi kërkojnë freskim dhe ndryshim. Do të doja që të kemi edhe trajnerë nga vende tjera si Serbia, Mali i Zi e vende të tejra. Nëse vazhdon ky trend vërtetë  shumë trajnerë do te mbesim vetëm si “analistë”, tu fol e papunë”, ka thënë Llumnica për Telegrafin.

Canolli: Superliga e Kosovës e bëri Bashkimin Kombëtar

Gazetari i Super Sport Kosovës, që çdo javë është afër kampionatit kosovar të futbollit, thotë se ardhja e trajnerëve nga jashtë është e mirëseardhur.

Sipas tij të gjithë mund të mësojnë nga këto përvoja.

“Në futbollin e Kosovës po ndodh një lloj bashkimi kombëtarë, sepse kemi trajner të të gjitha trevat, nga Shqipëria që tashmë u bënë katër me Starovën, kemi Sadat Pajazitin nga Lugina si dhe trajnerin e Flamurtarit, Gajur Rexhepi që vjen nga Tetova”.

“Kjo më pëlqen shumë. Pastaj, ardhja e trajnerëve nga Shqipëria sjell një frymë të re në futbollin tonë, diçka më ndryshe nga e kaluara dhe përvoja e tyre sigurisht që do t’iu shërbej skuadrave për tu përgatitur më mirë, e sidomos lojtarëve të rinj për tu përmirësuar”.

Florim Canolli

“Tendenca për të shpikur një lloj gare ndërmjet trajnerëve nga Shqipëria dhe atyre nga Kosova nuk më pëlqen, nuk është profesionale. Mendoj se trajnerët nga Shqipëria mund të mësojnë nga mënyra e lojës së trajnerëve të Kosovës si dhe anasjelltas”.

“Për fund dua të them që ardhja e trajnerëve nga Shqipëria ka bërë që interesimi i publikut në Shqipëri të jetë më i madh rreth asaj që ndodh në futbollin e Kosovës”, ka thënë gazetari Florim Canolli për Telegrafin.

Superliga ka zhvilluar deri më tani 24 javë dhe Drita është lider, e përcjellë nga Prishtina, Liria dhe Feronikeli. /Telegrafi/

Exit mobile version