Site icon Telegrafi

Vala me superprodukt për lokalet e natës, diskot, kampuset, stadiumet…

Telekomi i Kosovës, Vala, ka krijuar një superprodukt për vendet që frekuentohen nga numër i madh i qytetarëve si lokalet e natës, diskotekat, pub-et, etj, kampuset universitare dhe pikat e tjera të grumbullimeve masive si sheshet, stadiumet, etj.

Sipas një njoftimi, ky produkt, iu mundëson qindra mijëra personave të kenë internet super të shpejtë në të njëjtën kohë dhe është testuar në diskotekën e njohur të Prishtinës, Zone Club

“Superprodukti, ka të bëjë me implementimin e teknologjisë së fundit WIFI profesional, për të gjithë klientët e Telekomit të Kosovës, Vala, të cilët përdorin internetin e shpejtë 3G dhe 4G. Telefoni i tyre do të lidhet automatikisht me WIFI-n profesional të instaluar nga Telekomi i Kosovës, Vala, pa u vërejtur fare nga klienti, apo pa pasur nevojë të kryejë operacione tjera në telefon. Në fakt, këtë lloj interneti, me shpejtësi prej 100 MB për sekondë, qytetarët e Kosovës nuk e kanë shijuar as në shtëpitë e tyre, ku e kanë të instaluar Wifi-n”, thuhet në njoftimin e VALA-s.

“Është një produkt i jashtëzakonshëm që kemi lansuar për vendet që kanë grumbullim masiv të qytetarëve. Produkti është testuar tanimë në Zone Club dhe i kemi dhënë dritën jeshile për t’u shtrirë për të gjithë klientët e tjerë të interesuar. Të gjithë klientët e Telekomit të Kosovës, Valës që kanë qenë në Zone Club gjatë dy javëve të fundit, kanë pasur rastin të kënaqen më internetin më të shpejtë”, citohet të ketë thënë Drejtori Menaxhues i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa.

Sipas tij, ky produkt do të shtrihet në qindra pika të tjera në Prishtinë, Brezovicë dhe qendrat e tjera regjionale.

“Tani do ta mbulojmë Brezovicën dhe më pas gjithë Kosovën. Do të kemi internetin më të shpejtë të 3G dhe 4G në regjion e më gjerë”, ka thënë Mustafa.

Telekomi i Kosovës, Vala ka arritur në fazën e fundit të projektit WIFI Offload, fazë e cila pritet të kryhet në më pak se një muaj në Prishtinë, ku do të instalohen mbi 500 pika, për t’u shtrirë më pas në të gjithë Kosovën. /Telegrafi/

Exit mobile version