Vapa ekstreme në Arizona ka dërguar 11 persona në spital ndërsa mijëra njerëz prisnin të hynin në një tubim me ish-presidentin Donald Trump.
Ndërsa Trump doli në skenë në Phoenix, temperatura ishte 44 gradë Celsius.
Bëhet e ditur se ky ishte tubimi i tij i parë që nga dënimi penal në New York, që e shpalli atë fajtor për falsifikimin e të dhënave në lidhje me një pagesë për aktoren e filmave për të rritur Stormy Daniels.
Trump përdori fushatën për të përsëritur deklaratën se çështja kundër tij ishte e motivuar politikisht dhe bëri thirrje për rrëzimin e dënimit, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.
“Sapo kalova një gjyq të montuar në New York. Ishin gjëra të sajuara, të fabrikuara”, tha Trump.
Ndërsa mbështetësit e tij prisnin jashtë tubimit, disa njerëz u dërguan në spital nga nxehtësia e madhe.
Edhe Shërbimi Kombëtar i Motit (NWS) ka parashikuar temperatura rekord në Kaliforni dhe pjesë të Nevadës dhe Arizonës.
Siç raportohet, ish-presidenti foli për rreth 90 minuta përpara se të nisej për një mbledhje fondesh në San Francisko.
Përveç dënimit të tij, ai tha se do të anulonte urdhrin e ri ekzekutiv të presidentit aktual të SHBA-së, Joe Biden, që synon të frenojë ardhjet e emigrantëve në kufirin SHBA-Meksikë.
Trump më pas pritet të mbajë një fushatë në Las Vegas, edhe ky qytet me temperatura rekord.
Ndryshe, vapa e madhe ka vendosur më shumë se 30 milionë njerëz në të gjithë rajonin jugperëndimor nën alarm për temperatura të larta të rrezikshme, me zyrtarët që u kërkojnë banorëve të marrin masa paraprake.
Sëmundjet e lidhura me nxehtësinë dhe madje edhe vdekja po bëhen më të zakonshme në Phoenix dhe rajone tjera.
Muaji i kaluar ishte maji më i nxehtë i regjistruar në histori. /Telegrafi/