Ndërmarrja më e madhe energjetike në vend, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), i është bashkuar valës së kalimeve masive të institucioneve shtetërore, kompanive publike, bizneseve private, universiteteve dhe qytetarëve, në operatorin me ofertat më joshëse në treg, Vala.
Afër 5000 punëtorë të KEK-ut, përfshirë edhe menaxhmentin, do të kenë në telefonat e tyre shërbimet më të reja të Vala-s dhe do të përfitojnë nga rrjeti i shpejtë i internet 4G, që kësaj korporate do t’ua lehtësojë në masë të madhe sistemin e operimeve teknologjike.
Kryeshefi Ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Gent Begolli bëri të ditur se është tejet i entuziazmuar për nënshkrimin e kontratës me KEK-un duke thelluar edhe më tepër këtë partneritet reciprok.
“Të gëzon fakti që edhe një ndërmarrje e madhe me mijëra punëtorë, siç është KEK-u i bashkohet Vala-s, gjë që përbën, njëkohësisht, një kënaqësi dhe obligim për ne që produktet dhe rrjetin tonë t’i pasurojmë dhe forcojmë edhe më tutje në dobi të të gjithë atyre që i besojnë operatorit publik, Vala dhe shërbimeve të saj”, tha Kryeshefi Ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Gent Begolli.
Sipas tij, nënshkrimi i kontratës mes këtyre dy ndërmarrjeve paraqet një bashkëpunim dhe mirëbesim të vazhdueshëm mes dy gjigantëve të ekonomisë së Kosovës.
“Është e rëndësishme të thuhet se jemi shumë të kënaqur me shërbimet e VALA-s dhe kjo marrëveshje e sotme, është një tjetër dimension i thellimit të bashkëpunimit mes dy kompanive, në vazhdën e bashkëpunimeve që kemi pasur edhe në të kaluarën. KEK-u është korporata më e madhe në vend edhe nga aspekti kapital, edhe me numrin më të madh të punëtorëve, andaj me afër 5000 punëtorë do të jemi pjesë e shfrytëzimit të shërbimeve të Vala-s për shkak të ofertës së saj më të favorshme”, theksoi Njazi Thaçi, u.d. i Drejtorit Menaxhues të KEK-ut.
Telekomi i Kosovës ka hedhur në treg oferta të ndryshme dhe shumë konkurruese për të gjithë konsumatorët duke mundësuar pako të shumëllojshme me biseda pa limit dhe internetin më të shpejtë. /Telegrafi/