Telegrafi

Vaksinohen mbi 560 mijë fëmijë në Gaza kundër poliomielitit

Më shumë se 560,000 fëmijë të moshës nën 10 vjeç në Gaza kanë marrë të parën nga dy dozat e vaksinës së poliomielitit, ka njoftuar Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), pasi shkatërrimi i ujit dhe sistemeve sanitare nga Izraeli çoi në një rishfaqje të sëmundjes vdekjeprurëse në rripin e rrethuar.

Punëtorët e ndihmës arritën më shumë se 90% të mbulimit të synuar të vaksinës në fazën e parë të fushatës së udhëhequr nga OKB, sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë, UNRWA.

Ndërkohë, faza e dytë e vaksinimeve është planifikuar të bëhet pas katër javësh.

“Ne i admirojmë të gjitha ekipet shëndetësore, që kryen këtë operacion kompleks”, tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

“Ne u jemi thellësisht mirënjohës familjeve, për besimin dhe bashkëpunimin e tyre”, shtoi ai.

“Ky është një sukses masiv mes një realiteti tragjik të përditshëm të jetës në të gjithë Rripin e Gazës. Imagjinoni se çfarë mund të arrihet me një armëpushim”, vazhdoi Ghebreyesus.

Ndryshe, ofensiva e Izraelit në Gaza, e nisur pas sulmeve të 7 tetorit të udhëhequr nga Hamasi, ka nxitur një krizë humanitare dhe ka rrafshuar infrastrukturën kritike, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.

Rreth 70% e të gjitha objekteve të ujit dhe kanalizimeve janë shkatërruar ose dëmtuar.

Ndërkohë, kufizimet e ndihmës izraelite kanë varfëruar rëndë rezervat e karburantit, klorit dhe pjesëve rezervë, duke mbytur prodhimin e ujit, pastrimin dhe pompimin e ujërave të zeza.

Fushata e poliomielitit të OKB-së, e lehtësuar nga një seri pauzash në luftime të miratuara nga Izraeli, erdhi pasi virusi shumë infektiv u gjet në mostrat e ujërave të zeza në qershor.

Më pas, në gusht, një djalë 11-muajsh u bë personi i parë në Gaza në 25 vjet që u diagnostikua me poliomielit.

Siç raportohet, Polio më së shumti prek fëmijët nën 5 vjeç dhe mund të shkaktojë paralizë të pakthyeshme dhe madje edhe vdekje.

Është shumë infektive dhe nuk ka shërim; mund të parandalohet vetëm me imunizimin, sipas OBSH-së. /Telegrafi/