Edhe pse ende nuk e ka një libër të botuar me poezi, Adelina Qarkaj, nga qyteti i Mitrovicës krijon poezi të tematikave të ndryshme, të cilat i poston në rrjete sociale.
Poezitë e Qarkajt janë shumë të pëlqyera nga të gjithë ndjekësit e saj në rrjete sociale.
Ajo në një intervistë për Telegrafin tregoi se për krijimin e poezive inspirohet kudo, mirëpo më shumë ajo e gjen inspirimin në familjen e saj, tek nëna dhe mbesa katër muajshe, Lura.
“Gjithçka që më rrethon më bën të inspirohem. Inspirimi kryesor imi në jetë është Lura, mbesa ime katër muajshe. Lura është një qenie e pafajshme e cila fal shumë dashni. Po ashtu, ajo që ka ndikim dhe më ofron shumë dashni është nana. Tek nana e mbështes kokën në moment gëzimi dhe hidhërimi. Tek poezitë e mia, nanën e kam trajtuar si stoicizëm. E dimë, ne si shoqëri kosovare sa e ngarkuar ka qenë nëna me procesin e jetës. Është marrë me shumë punë tjera, pos punës së saj si nënë”, tha ajo.
Qarkaj po ashtu shkruan poezi edhe për aktualitetin në vend, siç është papunësia e të rinjëve dhe ikja e tyre jashtë vendit për një jetë më të mirë.
Ajo tregoi dhe përvojën personale, pasi siç tha Qarkaj është e diplomuar në master, drejtimi “Letërsi Shqipe”, dhe është ende e papunë.
“Meqë jetojmë në Kosovë dhe kur e dimë se më çfarë kushtesh përballet shoqëria jonë… Ka shumë të rinjë që kanë studiuar dhe janë përgatitur profesionalisht dhe nuk i është shpërblyer as mundi. Besoj që vetëm ikja është shpëtimi”, tha ajo.
Mirëpo, vajza nga Mitrovica tha se nuk do të ndalet, pasi së fundmi është pranuar në studimet tjera të nivelit master, por në drejtimin “Mësimdhënie e gjuhës dhe letërsisë shqipe”.
Qarkaj gjithashtu tha se në planet e saj ka edhe botimin e librit të saj të parë me përmbledhje të poezive, por për shkak të situatës me COVID-19, kjo gjë është shtyrë dhe vonuar. /Telegrafi/