Telegrafi

Vajza e ‘The Rock’ nënshkruan kontratë profesionale me WWE

Dwayne Johnson dhe Simone Alexandra Johnson (Foto: Christopher Polk/Getty Images for People's Choice Awards/Guliver)

Simone Johnson, vajza e Dwayne “The Rock” Johnson, e ka nënshkruar kontratën e parë profesionale me WWE duke u bërë sportistja e parë e gjeneratës së katërt të kompanisë.

Në një njoftim të publikuar nga WWE thuhet se 18-vjeçarja i ka nisur stërvitjet më ‘WWE Performance Center’ në Orlando të Floridës që shënon hapin e parë në rrugëtimin e saj për t’u bërë WWE Superstar.

Babai i Simone, “The Rock”, ka qenë 10 herë kampion në këtë organizatë, derisa gjyshi i saj, Rocky Johnson dhe stërgjyshi “High Chief” Peter Maivia, janë pjesë e “WWE Hall of Famers”.

“Ëndrrat nuk janë vetëm për ëndërrimtarët. Urime fëmijës tim të parë, Simone Johnson, që e ka nënshkruar kontratën zyrtare me WWE dhe për rrugëtimin e saj që të bëhet sportistja e parë e gjeneratës së katërt në WWE”.

“Mbaje me krenari emrin e familjes sonë, por rruga jote do të jetë gjithmonë e jotja që ta ndërtosh, meritosh dhe ta posedosh. Shumë krenar. Jetoje ëndrrën. Vazhdojmë punën”, ka shkruar ‘The Rock’ në Instagram.

Dwayne Johnson dhe Simone Alexandra Johnson (Foto: Jason Merritt/Getty Images/Guliver)

“Ka rëndësi shumë të madhe për mua. Duke qenë se familja ime ka një lidhje kaq personale me këtë sport, kjo është shumë e veçantë për mua dhe jam falënderuese që më është dhënë mundësia, jo vetëm për t’u ndeshur, por edhe për ta vazhduar trashëgiminë”, ka thënë ajo.

“Për vajzën e vogël që ra në dashuri me mundjen dhe ishte e përkushtuar që ta bënte këtë ëndërr realitet – kjo është për ty”, ka shkruar më pas Simone në Twitter. /Telegrafi/