Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) në valën e fundit të likuidimit ka nxjerrë në shitje një lokal në lagjen “Dardania”, të Prishtinës, mirëpo një person po frikëson investitorët e mundshëm me arsyetimin se lokali është pronë e tij. Në xhamat e lokalit, i cili është nxjerrë në shitje, ai ka ngjitur disa njoftime të cilat më pas janë hequr nga ana e AKP-së.
Në valën e 42-të të likuidimit Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) mes shumë pronash ka nxjerrë në shitje një lokal afarist në lagjen “Dardania”, të Prishtinës. Mirëpo një person po pretendon se prona është e tij, madje përmes disa njoftimeve që ai ka ngjitur në xhamat e lokalit po kërcënon AKP-në se prona e nxjerr në shitje është pronë e tij. Nuk ka kaluar shumë kohë kur zyrtarët e AKP-së kanë hequr ato njoftime nga xhamat dhe kanë vendosur njoftimin e tyre duke treguar se lokali në fjalë është pronë e administruar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, shkruan gazeta “Zëri”.
Zëdhënësi i AKP-së, Ylli Kaloshi, thotë se prona është tenderuar në bazë të dokumentacionit pronësor të ndërmarrjes, ndërsa njoftimet e ngjitura në lokalin afarist janë vendosur nga një pretendues, i cili nuk ka vendim gjykate.
“Bëhet fjalë për pronën e NSH ‘Visoko’, e tenderuar në valën e shitjes së pasurive përmes likuidimit nr. 42, me numrin rendor Njësia nr. 36. Ky lokal – ‘Visoko Commerce’, shitorja nr. 2, gjendet në kuadër të një ndërtese shumëkatëshe të banimit në Prishtinë, në rr. ‘Robert Doll’, nr. 12, afër restorantit ‘Sach’, Prishtinë. Prona është tenderuar në bazë të dokumentacionit pronësor të ndërmarrjes, ndërsa njoftimet e ngjitura në lokalin afarist janë vendosur nga një pretendues, i cili nuk ka vendim gjykate. Çdo pretendim pronësor duhet realizuar përmes gjykatës kompetente, respektivisht përmes Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme”, ka treguar Kaloshi. /Telegrafi/