Telegrafi

Uzuni: I lumtur me golin, jam kritikuar shumë dhe kam pasur një periudhë të vështirë

Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Myrto Uzuni ka folur pas humbjes 2-1 nga Spanja në miqësoren e luksit të zhvilluar në Spanjë.

Uzuni ishte autori i golit të vetëm të kuqezinjve, por ky gol nuk mjaftoi për një barazim, pasi Spanja shënoi në minutën e fundit me Dani Olmon, pasi kishte shënuar golin e 1-0 me Ferran Torres.

Për golin e shënuar, lojën, emocionet dhe shumëçka tjetër ka folur pas ndeshjes, Uzuni.

“Ndihem shumë i lumtur për golin pasi jap gjithmonë maksimumin”, ka thënë fillimisht Uzuni pas ndeshjes për emisionin “Kuqezi”.

“Sa i përket humbjes nuk ndihemi shumë mirë sepse ishte e minutave të fundit. Unë gjithmonë besoj te vetja ime dhe e besova dhe këtë herë”.

“Është e drejtë të pësojmë gola në minutat e fundit me ekipet e mëdha, por ishte keq që e pësuam në këtë ndeshje pasi bëmë një lojë të mirë”.

Uzuni ka folur edhe për partneritetin e tij me Armando Brojën dhe emocionet pas golit të shënuar.

“Kam shumë besim te vetja dhe jam në formë të mirë, por kjo i takon trajnerit e di ai si do luajmë”.

“Jam kritikuar shumë në Shqipëri dhe ka qenë një periudhë e vështirë për mua pasi kam marrë mesazhe të shumta në rrjetet sociale, pas rasteve të humbura ndaj Hungarisë dhe Anglisë dhe kisha shumë kohë që e prisja këtë gol”, përfundoi sulmuesi shqiptar. /Telegrafi/