Nëse jo për persona të përfshirë në shërbime të huaja sekrete, uzinat ushtarake në Shqipëri, kanë qenë “shënjestër” e vijueshme e blogerëve të huaj të aventurës. Nuk iu janë druajtur ndalimit të hyrjes dhe as kolegëve të dy ushtarëve roje të uzinës së Çekinit në Gramsh, që u përballën me rusin Mikhail Zorin.
Në vitin 2020, dy djem që prezantohen në YouTube në kanalin “Exploring the unbeaten path”, duke eksploruar rrugën e pashkelur, kanë depërtuar në ambientet e brendshme të uzinës ushtarake të Poliçanit.
Tabela e ndalimit të hyrjes i ka ndaluar vetëm ditën.
Siç e tregojnë në pamje, ata janë kthyer natën, për t’u futur në tunelet nëntokësore, që gjatë viteve të komunizmit ishin një sekret për të gjithë shqiptarët.
Videoja e ngarkuar në rrjet zgjat gati 19 minuta. Vizita ka qenë surprizuese për ta dhe ndjekësit e tyre në internet. Përveç makinerive të ndalura të prodhimi të armëve e municionit, ata kanë mundur të gjejnë një granatahedhës, fishekë, si edhe lëndë të tjera të përdorura në prodhimin e municioneve.
Ndërkohë, koha e ngrirë në kapakët e dollapëve dhe mure është shfaqur edhe me një poster të botërorit të futbollit 1991 dhe foto nga revistat të artistëve më në zë të kohës.
Video e dy blogerëve ka marrë gati 1,7 milionë shikime dhe mbyllet me një shënim, sipas të cilit, dy blogerët kanë shkuar edhe të nesërmen për xhirime, por kanë vënë re që janë pikasur dhe nuk kanë rrezikuar më.