Telegrafi

UT organizoi Kongresin V Ndërkombëtar të Biologjisë Molekulare dhe Bioteknologjisë

Universiteti i Tetovës (UT) dhe Qendra për Shkencë dhe Hulumtime ‘Nobel’ nga Turqia, në një komunikatë për Telegrafi Maqedoni njoftuan për Kongresin e Pestë Ndërkombëtar të Bilogjisë Molekulare dhe Bioteknologjisë, e organizuar prej 26-28 gusht.

Kongresin e shpalli të hapur Prorektori për Arsim i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Reshat Qahili.

Ai, me këtë rast tha se ky kongres shkencor që bashkë-organizohet nga Universiteti ynë, dhe Qendra e njohur për Shkencë dhe Hulumtime ,,Nobel” nga Republika e Turqisë, ka për synim të nxitë kërkimin shkencor në lëmin e inovacionit dhe arritjet më të fundit në biologjinë molekulare dhe bioteknologji.

“Ne, organizatorët e këtij aktiviteti shkencor jemi kujdesur që në programin e punës të përfshijmë studime të mirëfillta, që nga ana përmbajtjesore, përfshijnë një gamë të gjerë të kërkimit shkencor në fushat e lartpërmendura. Studiuesit, përkatësisht pjesëmarrësit në kongresin e këtij vitit, të gjitha këto problematika do t’i trajtojnë nga këndvështrimi i perspektivës ndërkombëtare e globale dhe në këtë mënyrë mëtojnë t’i përmbushin objektivat e tyre për të kontribuar me hulumtime të reja në disiplinat e biologjisë molekulare dhe bioteknologjisë, si dhe të analizojnë ndërlidhjen e tyre me shkencat shoqërore. Ndaj, në emër të Universitetit të Tetovës i përgëzoj të gjithë ata që u angazhuan për realizimin e këtij projekti madhor në interes kërkimit shkencor dhe forcimit të bashkëpunimit në mes komunitetit akademik”, tha Prof. Dr. Reshat Qahili.

Në emër të Qendrës për Shkencë dhe Hulumtime “Nobel” nga Republika e Turqisë, të pranishmëve me fjalë rasti ju drejtua Assoc. Prof. Dr. Mehmet Cengiz Baloglu nga Universiteti Kastamonu. Sipas tij kjo konferencë mbulon një fushë të gjerë të kërkimit dhe zhvillimit në lidhje me biologjinë molekulare dhe shkencat bioteknologjike.

“Vlerësoj se këto tema do të trajtohen nga një perspektivë ndërkombëtare dhe globale, konferenca mirëpret pjesëmarrjen e shkencëtarëve dhe hulumtuesve nga e gjithë bota. Qëllimi i konferencës është të kontribuojë në disiplinat e biologjisë molekulare dhe bioteknologjisë, si dhe të analizojë dhe vlerësojë ndërlidhjen me me shkencat e jetës, industrinë dhe shoqërinë”, u shpreh Assoc. Prof. Dr. Mehmet Cengiz Baloglu.

Kongresi i zhvilloi punimet sipas programit të paraparë, në nxitjen e inovacionit dhe zhvillimit të qëndrueshëm, kërkimeve ndërdisiplinore, reflektimin kritik dhe diskutimeve në lidhje me zhvillimet e reja në fushën e biologjisë molekulare dhe bioteknologjisë. /Telegrafi/