Telegrafi

USP kërkon nga MASHT-i të shpallë zgjedhjet e përgjithshme në UP, gjobiten nga Policia për moslajmërim të aktivitetit

Unioni i Studentëve Proeuropian, Opinioni i Pavarur Studentor dhe Paqja Studentore (UDS-USPE-OPS-PS), kanë kërkuar edhe zyrtarisht nga ministrja e Arsimit që të shpallë zgjedhjet e përgjithshme në Universitetin e Prishtinës.

Derisa e kanë dorëzuar kërkesën në MASHT, disa nga studentet u paditën nga Policia e Kosovës për mos lajmërimin e konferencës.

Festim Tasholli, në emër të organizatave studentore tha se si shkas për këtë kërkesë janë zhvillimet e fundit që kanë ndodhur në UP, shkruan Kp.

Tasholli tha se përbërja e Këshillit Drejtues është e jashtëligjshme, derisa shtoi se presin nga ministrja e arsimit, Arbërie Nagavci të reflektojë në lidhje me këtë çështje dhe të shpallë zgjedhje të përgjithshme, siç tha ai, kjo është rruga e vetme për shpëtimin e UP-së.

“Fillimisht neve na është mohuar e drejta e votimit në senatin e UP-së, ku është shkelur edhe neni 44 i statutit të UP-së, ku kanë hyrë për të votuar senatorët e rinj e që realisht mandati tyre fillon me 1 tetor të atij viti. Konsiderojmë që kjo përbërje e Këshillit Drejtues është e jashtë ligjshme por edhe nuk është e dëshirueshme për Universitetin dhe nuk përfaqëson Universitetin ashtu siç duhet.

Arsyeja tjetër pse i jemi drejtuar ministres me këtë kërkesë dhe jo Këshillit Drejtues është se ne nuk e njohim atë Këshill Drejtues sepse është zgjedhur në mënyrë të jashtë ligjshme. Presim që ministrja të reflektojë dhe të shpallë zgjedhjet e përgjithshme si rruga e vetme që ka mbetur për shpëtimin e UP-së, nga politizimi dhe nga grupet e interesit”, tha Tasholli.

Tasholli tha se gjobitja e tyre për mos lajmërim të kësaj konference është jo adekuate. Sipas tij duhet të lajmërohen protestat dhe jo konferencat.

“Ne e dorëzuam kërkesën në arkivin e ministrisë së arsimit, pastaj erdhën edhe Policia e Kosovës, ku na njoftuan se na është shqiptuar nga një tiketë për mos lajmërimin e konferencës.. Është jo adekuate për arsyeje se duhet të lajmërohen protestat dhe jo konferencat. Ne vetëm e patëm një konferencë për media për të treguar arsyen pse po e dorëzojmë kërkesën dhe asgjë më shumë”, shtoi Tasholli.