Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, gjenerali Milan Mojsiloviq, me bashkëpunëtorët e tij më të afërt, ka vizituar sot pjesën e Ushtrisë serbe të angazhuara në kontrollin e Zonës së Sigurisë Tokësore dhe sigurinë e vijës kufitare me Kosovën.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, “gjenerali Mojsiloviq ka inspektuar nivelin e gatishmërisë luftarake të Forcave të Armatosura të Serbisë në zonën e bazave ushtarake ‘Tabalije’ dhe ‘Rudnica’ dhe aftësinë e tyre për të reaguar shpejt në rast nevoje dhe për të garantuar paqen dhe sigurinë në këtë pjesë të vendit”.
“Në dritën e ngjarjeve të fundit në ‘krahinën tonë jugore’ të shkaktuara nga lëvizjet e njëanshme të ‘institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes në Prishtinë’, gjenerali Mojsiloviq shprehu kënaqësinë e tij për gatishmërinë e lartë luftarake të forcave të Forcave të Armatosura Serbe dhe faktin që ushtarët dhe oficerët e angazhuar janë të gatshëm, të motivuar dhe të trajnuar për të kryer çdo detyrë të caktuar nga atdheu i Serbisë”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.
Sipas njoftimit, gjatë vizitës në bazat në Zonën e Sigurisë Tokësore, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura shoqërohej nga gjeneralë që janë në pozita të larta në hierarkinë e ushtrisë serbe.
Ndryshe, gjatë ngjarjeve të ndodhura në veri të Kosovës, përkatësisht në kufirin Kosovë-Serbi pas paralajmërimeve nga Qeveria e Kosovës se që nga 1 gushti, do të niste zbatimi i reciprocitetit me Serbinë për targat dhe letërnjoftimet, ishte raportuar se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kishte vizituar Shtabine e Përgjithshëm në Batajnicë, në lidhje me “marrjen e një vendimi për të reaguar ndaj tensioneve të krijuara në veri të Kosovës”.
Mirëpo, Thomas Theiner, një ish-anëtar i ushtrisë italiane dhe “ekspert për çështje të Luftës së Ftohtë” dhe strategjisë së mbrojtjes së Aleancës, një ditë pas zhvillimeve në veri të Kosovës, ku serbët vendosën barrikada, duke kundërshtuar masën e reciprocitetit, ka thënë se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka marrë një mesazh të qartë nga NATO, përmes një oficeri të Shtabit të Përgjithshëm të dielën në mbrëmje.
“Mendoj se oficerët e Shtabit të Përgjithshëm të Serbisë mbrëmë i kanë shpjeguar presidentit Vuçiq se nëse ai guxon të sulmojë Kosovën, aeroplanët luftarakë të NATO-s do të reagojnë brenda pak orësh…”, ka shkruar Theiner në Twitter.
Sipas tij, brenda 48 orëve, në aeroportin e Prishtinës do të transportohej Brigada e 173-të Ajrore e Ushtrisë Amerikane, ndërsa në Aeroportin e Gjakovës (e ndërtuar nga Ushtria Italiane për këtë qëllim) Brigada e Parashutave e Ushtrisë Italiane “Folgore”.
Pas zhvillimeve në veri të Kosovës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Përmes një postimi në Twitter Stoltenberg ka thënë se me Vuçiqin kanë folur për tensionet e krijuara së fundmi në veri të Kosovës.
“NATO është e gatshme të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti, bazuar në mandatin që ia ka dhënë Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB)”, ka thënë Stoltenberg.
Më 31 korrik, serbët lokalë vendosën barrikada në veri të Kosovës për të kundërshtuar dy vendimet e Qeverisë së Kosovës lidhur me targat dhe dokumentet serbe.
Barrikadat u hoqën më 1 gusht dhe Qeveria e Kosovës u zotua se do të shtyjë për një muaj zbatimin e vendimit për pajisjen e shtetasve të Serbisë me dokument për hyrje-dalje, me të hyrë në territorin e Kosovës.
Lëshimi i dokumenteve parashihet në Marrëveshjen për lirinë e lëvizjes që Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar më 2011 në kuadër të dialogut. Që atëherë, Serbia lëshon dokumente të tilla për qytetarët e Kosovës.
Me kërkesën e ambasadorit amerikan në Kosovë është shtyrë edhe zbatimi i vendimit që ka të bëjë me riregjistrimin e makinave me targat që i lëshon Serbia, që Kosova i konsideron ilegale. /Telegrafi/