Ushtria jordaneze tha të hënën se sistemi i saj i radarit të mbrojtjes ajrore kishte zbuluar lëvizje të dyshimta ajrore nga një burim i panjohur përgjatë kufirit me Sirinë.
Ndërkohë një burim rajonal i sigurisë tha se me shumë mundësi ishin raketa të lëshuara nga milicitë pro-iraniane nga Iraku.
Si pasojë, raportojnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, fluturakët që besohet se ishin jordanezë u dëgjuan të fluturonin mbi qytetin jordanez të Irbid dhe zonat pranë pikës kufitare me Sirinë, thanë dëshmitarët.
Ushtria tha se një skuadrilje e forcave ajrore kishte fluturuar për të siguruar që hapësira ajrore të mos ishte nën ndonjë kërcënim.
Megjithatë, nuk tha se nga erdhën lëvizjet.
“Forcat ajrore iu përgjigjën një alarmi të sistemeve të radarëve që monitoronin lëvizjet ajrore, burimi i të cilave nuk dihet”, citohet të jetë thënë në deklaratën e ushtrisë.
Ndryshe, kujtojnë mediat, në janar, tre anëtarë të shërbimit amerikan u vranë dhe rreth 34 u plagosën pas një sulmi me dron në një postbllok të SHBA-së në Jordani që Uashingtoni e lidhte me militantët e mbështetur nga Irani.
Jordania ka kërkuar sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot nga Uashingtoni, duke thënë se ka frikë se do të gjendet në mes të zjarrit nëse lufta në Gaza tërheq Iranin dhe milicitë e tij rajonale të armatosura mirë në kufijtë e mbretërisë.
Zyrtarët thonë se qeveria e Jordanisë, e cila nënshkroi një marrëveshje mbrojtjeje me Shtetet e Bashkuara në janar 2021, dëshiron të forcojë mbrojtjen e saj kundër milicive të mbështetur nga Irani, duke ndërtuar forcën e tyre në kufijtë e Jordanisë me Irakun dhe Sirinë. /Telegrafi/