Ushtria izraelite ka rritur numrin e ushtarëve pranë Rripit të Gazës përpara ngjarjeve ceremoniale që do të shënojnë një vit nga sulmet e udhëhequra nga Hamasi më 7 tetor në Izraelin jugor.
Bëhet e ditur se trupa shtesë janë vendosur në kufi si për “skenarët mbrojtës ashtu edhe ata sulmues”, sipas një deklarate nga Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF).
“Ushtarët janë plotësisht të pajisur për të mbrojtur rajonin në koordinim me forcat lokale të sigurisë, Policinë e Izraelit dhe Magen David Adom, duke siguruar një përgjigje gjithëpërfshirëse ndaj çdo incidenti që mund të ndodhë”, deklaroi IDF.
Një vit më vonë, banorët izraelitë ende shprehen të tmerruar nga sulmet e 7 tetorit kur u vranë 1,200 njerëz dhe më shumë se 250 të tjerë u rrëmbyen, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.
Izraeli që atëherë e ka intensifikuar luftën e tij në arena të ndryshme në Lindjen e Mesme, me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu që tha se vendi i tij po “mbrohet” në shtatë fronte – duke përfshirë ato kundër Hamasit në Gaza dhe Hezbollahut në Liban.
Por, ndërsa skenat e masakrës, ndërtesave të shpërthyera dhe shpërnguljeve masive shfaqen nga Gaza dhe Libani, analistët dhe punonjësit e të drejtave të njeriut kanë lëshuar paralajmërime të tmerrshme mbi numrin e vdekjeve në një rajon gjithnjë e më të brishtë.
Fushata e Izraelit në Gaza ka vrarë të paktën 41,870 palestinezë dhe ka plagosur 97,166 të tjerë, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë.
Ndërkohë, në Liban, më shumë se 1,400 njerëz janë vrarë nga sulmet izraelite dhe rreth 7,500 janë plagosur, sipas Ministrisë libaneze të Shëndetësisë. /Telegrafi/