Site icon Telegrafi

Ushtria izraelite publikon pamje të sulmeve ajrore që kreu në Gaza, thotë se ka goditur rreth 150 objektiva nëntokësore

Ushtria izraelite ka sulmuar të premten vonë rreth 150 objektiva nëntokësore në Rripin verior të Gazës.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social X, Forcat Ajrore të Izraelit publikuan gjithashtu edhe një video ku u kryen këto sulme, transmeton Telegrafi.

“Aeroplanët luftarakë të Forcave Ajrore sulmuan sonte rreth 150 objektiva nëntokësore në Rripin verior të Gazës”, thuhej në postimin e tyre.

“Gjatë sulmit, u shkatërruan tunele luftarake, hapësira luftarake nëntokësore dhe infrastruktura të tjera nëntokësore terroriste, si dhe terroristët e Hamasit u eliminuan”.

Lexo po ashtu Musk thotë se Starlink do të ofrojë shërbime për "organizatat e njohura ndërkombëtare të ndihmës në Gaza"

Mbrëmjen e së premtes, forcat izraelite kishin intensifikuar sulmet ajrore në Gaza dhe banorët atje kishin thënë se bombardimet kishin qenë më intensivet që nga 7 tetori.

Sulmet erdhën derisa autoritetet në Izrael kishin rënë në konkludim se grupi Hamas po operonte brenda një tuneli nëntokësor që fshihej në spitalin më të madh në Rripin e Gazës.

Si rrjedhojë e bombardimeve, u raportua në Gaza edhe ndërprerje të internetit dhe si ndërprerje e shërbimeve celulare. /Telegrafi/

Exit mobile version