Site icon Telegrafi

Ushtria izraelite publikon hartën me zonat që kërkon të evakuohen pasi në to do të përdoret “forcë e madhe”

Zyrtarët mjekësorë palestinezë thonë se sulmet izraelite në Gazën veriore dhe qendrore të shtunën kanë vrarë të paktën nëntë persona.

Bëhet e ditur se një sulm goditi një grup njerëzish në qytetin verior të Beit Hanoun, duke vrarë të paktën pesë persona, përfshirë dy fëmijë.

Një tjetër sulm goditi një shtëpi në pjesën veriore të kampit të refugjatëve Nuseirat, duke vrarë të paktën katër persona.

Ushtria izraelite nuk ka komentuar mbi sulmet, por prej kohësh ka akuzuar Hamasin se vepron nga brenda zonave civile dhe se përdor objektet civile si qendra komanduese, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.

Ndërkohë, ushtria izraelite dha paralajmërimin e saj të parë për evakuim pas disa javësh, duke u thënë civilëve në zonat e Gazës qendrore të largohen përpara sulmeve që synojnë luftëtarët e Hamasit.

Siç raportohet, IDF dëshiron që civilët të largohen nga një pjesë e Gazës qendrore, sepse “forca e madhe” do të përdoret kundër luftëtarëve të Hamasit që fshihen atje.

Paralajmërimi vjen ndërsa shumë trupa izraelite dislokohen në kufirin me Libanin, gjë që e bën të duket se fokusi po zhvendoset kryesisht te Hezbollahu.

Urdhri i evakuimit u postua nga ushtria izraelite në rrjete sociale me një hartë të bashkangjitur ku renditen zonat që do të evakuohen.

Aty thuhet: “Hamasi dhe organizatat terroriste vazhdojnë aktivitetet e tyre terroriste brenda zonës suaj dhe, si rezultat, IDF do të veprojë me forcë të madhe kundër këtyre elementeve”. /Telegrafi/

Exit mobile version