Ushtria gjermane, Bundeswehr, po organizon rikthimin në Gjermani të 65,000 kanaçeve me birrë nga Afganistani. Sipas një raporti të revistës gjermane “Der Spiegel” bëhet fjalë për rreth 20,000 litra birrë, si edhe 340 shishe verë dhe verë me gaz.
Për arsye sigurie nga rreziku i sulmeve të armatosura komandanti i trupave gjermane, Ansgar Meyer, ua ndaloi ushtarëve gjermanë pirjen e alkoolit gjatë fazës së fundit të tërheqjes nga Afganistani. Po ashtu ushtrisë gjermane nuk iu lejua t’ua shiste alkoolin trupave lokale për arsye ligjore dhe fetare.
Bundeswehri gjerman si dhe të gjitha forcat e tjera të armatosura të vendeve të NATO-s pritet të largohen nga Afganistani deri më 11 shtator të këtij viti.
Gjermania kishte në Afganistan kontigjentin e dytë më të madh ushtarak pas SHBA-së. Misioni në Afganistan ishte operacioni më i kushtueshëm dhe më i madh në historinë e Bundeswehr-it. /Deutsche Welle/