Ushtria amerikane për herë të parë ka vendosur sistemin e saj të avancuar të mbrojtjes ajrore dhe raketore në Izrael, njoftuan sot zyrtarë ushtarakë të SHBA-së dhe Izraelit.
Vendosja e këtij sistemi do të testojë aftësinë e ushtrisë amerikane që të shpërndajë shpejt një armë të tillë në gjithë botën.
Ushtria amerikane njoftoi se vendimi për zhvendosjen e shpejtë të sistemit THAAD në Izrael ka për qëllim të demonstrojë përkushtimin e vazhdueshëm të SHBA-së ndaj Izraelit lidhur me sigurinë rajonale.
THAAD është sistemi më i integruar i mbrojtjes ajrore dhe raketore dhe dëshmon se forcat e SHBA-së mund të përgjigjen shpejt dhe në mënyrë të paparashikuar ndaj çfarëdo kërcënimi dhe në çdo kohë, thekson Komanda amerikane në Evropë.
Në kuadër të vendosjes, forcat amerikane do të punojnë në lokacione të ndryshme në Evropë, Izrael dhe SHBA për menaxhimin e sistemit në bashkëpunim të ngushtë me forcat e mbrojtjes së Izraelit. /kp/Telegrafi/