Site icon Telegrafi

Ushtria amerikane do të ndërtojë një skelë të përkohshme për të ofruar ndihma për banorët e Gazës, thotë Biden

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka folur për konfliktin “shkatërrues” në Gaza, duke i bërë thirrje Hamasit të lirojë të gjithë pengjet dhe duke i kërkuar Izraelit “të bëjë pjesën e tij”, për të rritur dërgesat e ndihmave humanitare në enklavën palestineze.

“Izraeli ka të drejtë të ndjekë Hamasin” pas sulmit të 7 tetorit, tha Biden, por ai shtoi se Izraeli gjithashtu ka një “përgjegjësi themelore” për të mbrojtur civilët në Gaza, përcjell Telegrafi.

“Kjo luftë ka shkaktuar një numër më të madh të vrasjeve të civilëve të pafajshëm se të gjitha luftërat e mëparshme në Gaza së bashku”, ka thënë ai.

Presidenti njoftoi planet që ushtria amerikane të krijojë një port të përkohshëm për të dërguar ndihma shtesë në brezin e shkatërruar nga lufta.

Skela në bregdetin e Mesdheut të Gazës do të marrë “anije të mëdha që transportojnë ushqim, ujë, ilaçe dhe strehimore të përkohshme”, tha Biden.

“Izraeli duhet të lejojë më shumë ndihmë në Gaza dhe të sigurojë që punëtorët humanitarë të mos gjenden në mes të zjarrit”, shtoi ai. /Telegrafi/

Exit mobile version