Telegrafi

Ushtarët rusë arrijnë në Bjellorusi, Lukashenko thotë se bëhet fjalë për ushtrime të përbashkëta ushtarake

Një tren që transportonte trupa dhe pajisje ruse arriti mbrëmë në Bjellorusi, duke ngritur shqetësimet se Moska mund të përdorte territorin e aleatit të saj për të sulmuar nga veriu Ukrainën.

Ministria e Mbrojtjes e Bjellorusisë konfirmoi arritjen e kontingjentit të premten dhe njoftoi se presidenti, Alexander Lukashenko vizitoi bazën ushtarake ku tashmë janë vendosur trupat ruse.

Gjatë takimit, Lukashenko dhe një përfaqësues i paidentifikuar i ushtrisë ruse diskutuan rreth stërvitjeve të përbashkëta ushtarake.

Trupat ruse janë të gatshme të kryejnë detyrat siç është planifikuar, tha përfaqësuesi.

Zhvillimi vjen pasi Bjellorusia, e cila ka mbështetur Rusinë në luftën e saj në Ukrainë, tha të enjten se do të merrte më shumë armë dhe pajisje nga Rusia ndërsa të dyja vendet vazhdojnë të forcojnë bashkëpunimin ushtarak.

Ministria bjelloruse e Mbrojtjes njoftoi se qëllimi i krijimit të forcave të përbashkëta është forcimi i sigurisë dhe mbrojtjes së Rusisë dhe Bjellorusisë.

“Fuqia njerëzore, armët, pajisjet ushtarake dhe speciale të Forcave të Armatosura të Federatës Ruse do të vazhdojnë të arrijnë në Republikën e Bjellorusisë”, thuhet në deklaratë.

Të dyja vendet po përgatiten për stërvitje të përbashkëta të aviacionit, njoftoi ministria, pa dhënë detaje shtesë. /Telegrafi/