Site icon Telegrafi

Ushtarët e Koresë së Veriut kapen në rajonin e Kurskut, Zelensky zbulon detaje nga operacioni

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka njoftuar se forcat që operojnë në rajonin Kursk të Rusisë kanë kapur dy ushtarë të Koresë së Veriut.

“Ushtarët tanë kanë kapur personelin ushtarak të Koresë së Veriut në rajonin e Kurskut. Dy ushtarë, megjithëse të plagosur, mbijetuan dhe u transportuan në Kiev, ku tani po komunikojnë me Shërbimin e Sigurisë të Ukrainës”, tha Zelensky në një deklaratë në X, e cila përfshin disa imazhe të ushtarëve të plagosur.

Sipas vlerësimeve ukrainase dhe perëndimore, rreth 11,000 trupa të Koresë së Veriut janë dislokuar në rajonin e Kurskut, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.

Ndërkohë, javën e kaluar, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se më shumë se 1000 forca të Koresë së Veriut ishin vrarë ose plagosur në Kursk në javën e fundit të dhjetorit.

Zelensky tha për dy ushtarët koreanë që ishin kapur: “Kjo nuk ishte një detyrë e lehtë, forcat ruse dhe personeli tjetër ushtarak i Koresë së Veriut zakonisht ekzekutojnë të plagosurit e tyre për të fshirë çdo provë të përfshirjes së Koresë së Veriut në luftën kundër Ukrainës”.

Raportohet se Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës, SBU, publikoi video që supozohet se tregon ushtarët.

Në video, zëdhënësi i SBU thotë se njëri prej koreano-veriorëve u kap më 9 janar nga forcat speciale ukrainase dhe tjetri nga parashutistët ukrainas.

“Ata po mbahen në kushte të përshtatshme që plotësojnë kërkesat e ligjit ndërkombëtar”, tha SBU.

Zëdhënësi i SBU deklaroi se “komunikimi me ta kryhet përmes përkthyesve të gjuhës koreane”, në bashkëpunim me shërbimin inteligjent të Koresë së Jugut. /Telegrafi/

Exit mobile version