Ushtarë italianë, bullgarë dhe të Maqedonisë së Veriut të KFOR-it kanë zhvilluar një trajnim për përdorimin e helikopterit në aktivitetet kundër trazirave.
Në postimin e KFOR-it në Facebook bëhet e ditur se trajnimi kishte për qëllim përmirësimin e procedurave të ngritjes dhe uljes së helikopterit.
“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/