Kanë kaluar pothuajse dy vjet që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.
Gjatë javëve të fundit, trupat ruse kanë nisur një ofensivë të madhe me shënjestër Avdiivkan, një qytet në rajonin lindor të Ukrainës, Donetsk, që Moska e pretendon gjithashtu si territorin e saj.
Ai pasoi një kundërsulm të madh ukrainas gjatë verës dhe vjeshtës.
Kievi rifitoi disa territore, por dështoi në objektivin e tij më të madh për të kaluar në Detin e Zi, duke shkëputur urën tokësore të Rusisë me Krimenë, të cilën presidenti rus Vladimir Putin e aneksoi në vitin 2014.
Dhe Gjermania ka qenë një aleat i fortë i Ukrainës në luftën e saj të vazhdueshme me Rusinë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Në tetor, ministria e mbrojtjes e vendit njoftoi një paketë të re mbështetjeje për Kievin, me vlerë rreth 1.1 miliard dollarë për armë, automjete dhe mbrojtje ajrore.
Por në një intervistë me Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung, Carsten Breuer, titulli zyrtar i të cilit është Inspektor i Përgjithshëm i Bundeswehr-it, tha se ai është i shqetësuar me mënyrën se si Rusia “po riarmatoset në këtë moment”.
Andaj, ai shtoi se Gjermania do të duhet të mësohet me mundësinë “që një ditë mund të na duhet të bëjmë një luftë mbrojtëse”.
Megjithatë, Breuer pranoi se ushtria gjermane ka mangësi kur bëhet fjalë për mbrojtjen kombëtare dhe të aleancës, pasi u fokusua në menaxhimin e krizave ndërkombëtare për vite me radhë.
Deklarata e tij vjen pas asaj në tetor nga propagandisti i televizionit shtetëror rus Vladimir Solovyov kërcënoi në emisionin e tij se Gjermania përfundimisht do të ekzistojë “nën një flamur rus”.
Solovyov kritikoi Gjermaninë për rritjen e sasisë së furnizimeve që po dërgonte në Ukrainë dhe tha: “Pra, ne nuk kemi zgjidhje tjetër. Ne do të marrim edhe një herë Berlinin dhe këtë herë nuk do të largohemi”.
Ndryshe, Departamenti Amerikan i Shtetit ka thënë se Solovyov përhap dezinformata nga Kremlini dhe shkroi në faqen e tij të internetit vitin e kaluar në një listë që identifikonte figura të njohura të përfshira në propagandën ruse se Solovyov “mund të jetë propaganduesi më energjik i Kremlinit sot”.
Kujtojmë se aktualisht, NATO ka 31 anëtarë, duke përfshirë 29 vende evropiane, Shtetet e Bashkuara dhe Kanada. Ukraina ka qenë në procesin e anëtarësimit që para pushtimit të Rusisë.
NATO ka thënë se nuk mund ta konsiderojë Rusinë për anëtarësim për shkak të “politikave dhe veprimeve armiqësore” të vendit.
Aleanca ushtarake ka thënë gjithashtu se “mbështet plotësisht” të drejtën e Ukrainës për vetëmbrojtje dhe dënon “luftën brutale dhe të paligjshme të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës”.
Në fillim të luftës Rusi-Ukrainë, Vladimir Putin tha vazhdimisht se zgjerimi i NATO-s drejt lindjes ishte arsyeja për fillimin e pushtimit të tij në shkallë të plotë të Ukrainës. /Telegrafi/