Site icon Telegrafi

Ushtaraku britanik i varrosur në Shkup (Video)

Këtu është varri i Xhorxh Karterit, ushtarit britanik, që kishte rënë dëshmorë gjatë Luftës së Parë Botërore gjatë viteve 1914-1918. Familja e tij pas shumë kërkimeve më fund ka gjetur se varri i tij gjendet në Shkup. Stërmbesa e Xhorxhit bashkë me familjarë të saj kishte ardhur për ta vizituar varrin e tij. Ajo thotë se pas shumë kërkimeve këmbëngulëse dhe përmes një shtetaseje të Maqedonisë që jetonte në Londër ka arritur që të zbulojë vendndodhjen e varrit të stërgjyshit të saj, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Gjatë një jave shkova te shitorja lokale, bisedova me shitësen e cila ishte prej Maqedonisë, dhe asaj i tregova që varri gjendet në Shkup, dhe ajo mu përgjigje që njeh dikë që mundet të më ndihmon. Ashtu ia dhashë adresën elektronike dhe pas disa javësh shoku i saj më dërgoi fotografi me gurin e varrit të gjyshit tim”, tha ajo.

Xhorxhina tha se me ndihmën e ambasadës britanike në Shkup, janë organizuar, dhe sot për herë të parë kanë vizituar varrezën e familjarit.
Edhe Pamela Thorn tregon se nëna e saj i kishte treguar se gjyshi kishte shkuar në luftë në Maqedoni dhe e kishin pritur të kthehet në Britani të Madhe, por diçka e tillë kurrë nuk kishte ndodhur.

“Gjyshja ime kishte pranuar një telegrame në të cilën shkruante se ai është në rrugë diku dhe nuk do të vonohet shumë, dhe se lufta është afër fundit dhe se do të ishte i lumtur të kthehet në shtëpi të takojë dhe familjen dhe fëmijën e tij, por ai kurrë nuk e pa foshnjën e tij. Disa ditë më vonë ajo pranoi telegrame në të cilën shkruante se ai është shumë i sëmurë dhe pas disa ditësh ai kishte ndërruar jetë”, u shpreh ajo.

Thorn thotë se këtë fat e kanë pas edhe qindra ushtarë të tjerë, të cilët sot pushojnë në varrezat britanike në Shkup.
Për të nderuar ushtarët britanik në varrezat e dëshmorëve britanik në Shkup ishte edhe ambasadori britanik, Çarls Gareth.

“Ne sot jemi këtu për të nderuar heronjtë tanë, të cilët kanë rënë në luftërat, sidomos atyre të cilët kanë rënë këtu në Shkup dhe varrezat britanike. Do ti përshëndetim ata për sakrificën, dedikimin dhe kurajën e tyre”, tha ai për Tv21.

Gjatë Luftës së Parë Botërore në Maqedoni kanë rënë dëshmorë 117 ushtarë britanik. Ambasada britanike çdo vit organizon ceremoni përkujtimore në nderim të tyre./Telegrafi/

Exit mobile version