Edicioni i 138 i turneut të tenisit US Open që nisi këtë të hënë, është Grand Slami i fundit sezonal dhe ai që ka zgjuar kërshërinë e tifozëve.
Kampioni në fuqi, Rafael Nadal, përfundoi në anën më të lehtë të tabelës, ndërsa dy gjigantët e tjerë të fushës, Roger Federer dhe Novak Djokovic, me shumë gjasë do të përplasen në çerekfinale, nëse nuk ka befasi të bujshme.
Shpërblimet financiare sivjet do të jenë një rekord më vete, transmeton Top Channel.
Amerikanët kanë premtuar se do të shpërndajnë plot 53 milionë euro për pjesëmarrësit deri në sfidën e fundit, një pasuri e tërë, edhe pse gjigantët e tenisit kanë shumë pak nevojë për stimuj në këtë aspekt.
Tre tenistët e përmendur janë favoritët kryesorë për të triumfuar në Flushing Meadows.
Befasitë ndoshta janë rezervuar që në fillim, por duket se rruga e Rafael Nadal drejt finales së madhe, është tashmë e asfaltuar.
Kujtojmë që tenisti spanjoll u tërhoq nga gara në Cincinnati Masters pas triumfit në Rogers Cup.
32-vjeçari ka thënë se arsyeja e tërheqjes është dëshira për ta ruajtur fizikun e tij, kështu që pritet të jetë i gatshëm për US Open që fillon më 27 gusht.