Site icon Telegrafi

Von Der Leyen mirëpret angazhimin e Kurtit në dialog: Është thelbësore që takimi tjetër të zhvillohet sa më shpejt

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar letër urimi nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Von der Leyen ka thënë se perspektiva kredibile e Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor mbetet prioritet për Komisionin.

“Ne dëshirojmë që ta shohim avancimin më të shpejtë të Kosovës në rrugën e saj evropiane dhe do të vazhdojmë ta mbështesim progresin e arritur në reformat që i kërkon kjo”, ka shkruar ajo dhe ka shtuar se “duke e njohur rëndësinë që e ka për qytetarët e Kosovës, ne do të vazhdojmë të avokojmë për një vendim pozitiv të BE-së për liberalizimin e vizave”, ka thënë ajo.

BE-ja, sipas von der Leyen, gjithashtu qëndron përkrah Kosovës dhe popullit të saj në luftën kundër pandemisë dhe mbështetjen e rimëkëmbjes ekonomike edhe nëpërmjet Planit për Ekonomi dhe Investime për vendet e Ballkanit Perëndimor, të miratuar në muajin tetor të vitit 2020.

Presidentja e Komisionit Evropian thekson se e mirëpret zotimin e kryeministrit Kurti për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive në dialogun Beograd-Prishtinë, të lehtësuar nga BE.

Ursula von der Leyen shprehet se është thelbësore që takimi tjetër i nivelit të lartë i dialogut të mund të zhvillohet sa më shpejt të jetë e mundur.

Kjo, sipas saj, është thelbësore për progres në rrugën përkatëse evropiane të Kosovës dhe Serbisë dhe për qytetarët e dyja vendeve.

“Pres me padurim që të punojmë së bashku për avancimin e marrëdhënieve BE-Kosovë”,  ka përmbyllur letrën presidentja von der Leyen.

Franca është një ndër shtetet më skeptike sa i takon heqjes së regjimit të vizave për shtetasit e Kosovës.

Pas takimit me presidentin francez, Emmanuel Macron, më 23 qeshor, kryeministri Albin Kurti ka thënë se përfaqësuesit e këtij shteti nuk kanë ndërruar qëndrim sa i takon liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Unë jam i bindur që ata e kanë marrë mesazhin tonë, mirëpo nuk ka zotim nga ana e tyre që do të ketë heqje të regjimit të vizave”, ka deklaruar kryeministri Kurti për televizionin publik të Kosovës po atë ditë.

Mes tjerash, kryeministri Kurti ka thënë se duhet punuar me Holandën dhe shtetet e tjera që janë skeptike për këtë proces.

Kosovës i është premtuar liberalizimi i vizave që nga viti 2011.

Tre vjet më parë, Komisioni Evropian ka rekomanduar heqjen e regjimit të vizave për Kosovën. Liberalizimi është votuar edhe në Parlamentin Evropian, porse vendimi final ka mbetur te Këshilli i Ministrave të BE-së.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e së cilës nuk gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën Shengen. /Telegrafi.

Exit mobile version