Site icon Telegrafi

Ursula von der Leyen për vizitë në Shkup, pritet të prezantojë pakon për mbështetje energjetike për rajonin

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, sot pasdite do të mbërrijë për vizitë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me të cilën do ta fillojë turneun e saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Siç paralajmëruan nga Sektori qeveritar për marrëdhënie me opinionin Dimitar Kovaçevski së bashku me delegacionin qeveritar do ta presë kryetaren e KE-së Leyen.

Në përbërjen e delegacionit qeveritar i kryesuar nga kryeministri Kovaçevski janë zëvendëskryeministri përgjegjës për Çështje Evropiane Bojan Mariçiqi, ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani dhe ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi.

Mesazhi kryesor që do ta përcjellë kryetarja e Komisionit Evropian, është përkushtimi i BE-së për integrimin evropian të rajonit, lajmëroi korrespondentja e AIM-s nga Brukseli. Turneu i saj nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor është në kontekst të luftës në Ukrainë dhe krizës energjetike, ndërsa qëllimi është që t’i përcillet rajonit se është i rëndësishëm për Bashkimin Evropian”, tha zëdhënësi Erik Mamer.

“Kjo vizitë, natyrisht po zhvillohet në një kontekst të veçantë, që është konteksti i krizave të njëpasnjëshme, fillimisht kovidi, dhe tani lufta në Ukrainë dhe pasojat e saj”, tha Mamer.

Lidhur me kërkesën e Maqedonisë së Veriut për të marrë ndihmë nga Bashkimi Evropian për furnizim të energjisë elektrike nga Bullgaria përmes kompensimit me çmimin e tregut, Erik Mamer deklaroi se nuk ka informacione për këtë temë për momentin.

Zëdhënësi për energji i Komisionit Evropian, Tim Mekfi, për AIM-n para disa ditëve gjithashtu porositi se tani për tani kjo kërkesë e Maqedonisë së Veriut nuk është në tryezë në Bruksel. Mbetet të shihet nëse autoritetet e Maqedonisë së Veriut sërish do ta kërkojnë atë nga Leyen dhe nëse ajo do të jetë në gjendje të ofrojë ndihmë.

Exit mobile version